Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Avdullah Hoti ka marrë mbështetjen e 92 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për të qenë kandidat për kryeministër.
“Nga 94 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që kanë marrë pjesë në votim, nëntëdhjetë e dy (92) kanë votuar për propozimin e Kryesisë së LDK-së, që z. Avdullah Hoti të jetë kandidati ynë për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, një (1) ka votuar kundër dhe një (1) ka abstenuar”.
Sipas komunikatës së lëshuar nga LDK, me këtë rast Këshilli i Përgjithshëm me shumicë të nevojshme të votave, përcakton Avdullah Hotin për kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme.
Ndryshe, data e zgjedhjeve të reja parlamentare do të bëhet e ditur pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria Hoti u zgjodh më 3 qershor të këtij viti, por ajo u vlerësua jo legjitime sipas Kushtetueses për shkak të votës së deputetit Etehm Arifi, i akuzuar për vepër penale.