Site icon Telegrafi

Kandidatja për drejtoreshë në Spitalin e Mitrovicës i quan tendencioze deklaratat e Agim Bahtirit

Kandidatja për drejtoreshë në  Spitalin e Mitrovicës, Mimoza Zeqiri, ka reaguar ndaj deklarimeve të Kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, në polemikën e tij me minsitrin e Shëndetësisë, lidhur me kandidatët për drejtor të Spitalit të Mitrovicës, ku ai e ka apostrofuar emrin e saj.

Zeqir, në reagimin e saj dërguar Telegrafit, e ka quajtur komunikatën tendencioze, duke sqaruar se asnjëherë nuk ka qenë e angazhuar në politikë dhe nuk dëshiron të komentoj deklaratat politike.

Lexo po ashtu Bahtiri: Deklarimet e ministrit Ismaili vërtetojnë shqetësimet tona se PDK po tenton t’i politizojë spitalet

Zeqiri po ashtu shpjegoi se në konkurs nuk është kërkuar përvojë në shëndetësi,  por përvojë menaxheriale, të cilat përvoja ajo thotë se i zotëron mjaft mirë.

Lexoni më poshtë reagimin e Zeqirit:

“Këto ditë jam akuzuar nga kryetari Agim Bahtiri, në mënyre të pabazuar dhe krejtësisht  tendencioze se gjoja unë nuk kam përvojë shëndetësore për të ushtruar detyrën e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës. Përderisa, në konkurs nuk është kërkuar përvojë me shëndetësi porse përvojë menaxheriale, të cilat përvoja i zotëroj mjaft mirë. Personalisht asnjëherë nuk kam qenë e angazhuar në politikë dhe nuk dëshirojë t’i komentoj më tutje deklaratat politike të kujt do qofshin ato. Karrierën time profesionale të shkollimit e kam arritur vet dhe me ndihmën e familjes time. Kam kryer fakultetin juridik, kam vazhduar studimet posdiplomike të Magjistratures në njërin nga Universitetet me prestigjioze në Evropë atë të ‘Staffordshire University’, të Anglisë, e që  jam në pritje të diplomës MBA (Master of Busines Administration). Po ashtu, karrierën time të punës dhe menaxheriale e kam ndërtuar vet dhe për këtë dëshmia më e mirë janë pozitat e larta udhëheqëse që i kam ushtruar në Institucionet më kredibile ndërkombëtare në vendin tonë si : zyra e BE-së në Kosovë, GIZ, Eptisa, ECO3 consultants, Qeveria Finlandeze, DRC, etj, dhe punoj edhe si konsulent për zhvillimin e biznesit në një kompani amerikane që ka për të krijuar një platformë online inteligjente të biznesit e cila ndihmon me analiza të tregut të patundshmërive në Amerikë. Vlen të theksohet se unë asnjëherë deri më tani nuk kam mbajt dhe ushtruar ndonjë post publik në Institucionet e Republikës së Kosovës. Prandaj, e tërë karriera ime është e ndërtuar nga puna ime duke qenë e përkushtuar dhe e përgjegjshme në të gjitha pozitat që kam udhëheqë.

Lexo po ashtu Ismaili, Bahtirit e Tahirit: Ju jeni të shqetësuar për veten, e jo për qytetarët e sistemin shëndetësor

Ky presion politik, linçim dhe shantazh që është duke u bërë ndaj meje, mendoj se është ndikim politik nga ana e tij, në institucionet e pavarura përkatëse qeveritare. Aq më shumë që është kryer vetëm pjesa e parë e testit me shkrim dhe nuk ka përfunduar ende procesi i përzgjedhjes së drejtorit të spitalit të Mitrovicës.

Është apostrofuar dhe akuzuar për ndikim politik edhe bashkëshorti im në këtë proces.

Më lejoni të sqaroj për ju dhe gjithë publikun, se bashkëshorti im Lulzim Zeqiri, tash e një vit nuk është në detyrën e këshilltarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, konsideroj se janë akuza të liga, të pabazuara dhe krejtësisht për qëllime politike të tij.

Lexo po ashtu Bahtiri dhe Tahiri akuzojnë PDK-në për politizim të spitaleve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë

Kam kandiduar për këtë pozitë udhëheqëse me qëllimin më të mirë për të kontribuar në këtë institucion shëndetësor të qytetit tonë. Jam shumë e përkushtuar që punët e mira që janë bërë t’i vazhdoj. Sikur që jam shumë e përkushtuar dhe e vendosur të ndërhyjë aty ku punët kanë ngecur, në mënyrë që qytetarëve të Mitrovicës t’i kthehet besimi  në shëndetësinë publike. Të merr trajtimin adekuat, në kohë dhe në mënyrë të përgjegjshme nga mjekët tanë dhe i gjithë stafi. Të rris shërbimet shëndetësore, që disa ende mungojnë dhe të funksionalizojmë në tërësi të gjithë Spitalin e Mitrovicës”, ka shkruar Zeqiri. /Telegrafi/

Exit mobile version