Kandidati për president i Barcelonës, Jordi Farre, ka thënë se Lionel Messi dëshiron të qëndrojë në klub dhe se nëse ai fiton zgjedhjet, argjentinasi do të nënshkruajë një kontratë të re.
Marrëveshja aktuale e 33-vjeçarit me klubin nga “Camp Nou” përfundon në vitin 2021.
Messi e kërkoi në verë largimin, por nuk u lejua nga ish-presidenti i klubit, Jose Maria Bartomeu.
Argjentinasi u tërhoq në fund, me fjalët se nuk mund të shkonte në gjyq me klubin ku u rrit dhe u bë ndër më të mirët e historisë së futbollit.
Tash e disa muaj Leo Messi, ka qenë i lidhur me klube si Manchester City dhe PSG, pasi që në janar mund të nis bisedimet.
Gjithsesi, njëri nga kandidatët me serioz për të fituar postin e presidentit në klub është Jordi Farre, i cili është i bindur se Messi dëshiron të qëndrojë.
“Messi dëshiron të qëndrojë te Barça. Kjo është ajo që unë di. Familja e tij dëshiron të qëndrojë në Barcelonë dhe ne do të punojmë për të”.
“Do të shkoja aq larg sa të thosha se, nëse fitojmë zgjedhjet, Messi do të rinovojë marrëveshjen e tij. Rinovimi i tij do të ndodhte automatikisht më 25 janar, nëse fitoj zgjedhjet”, ka thënë Farre për Onda Cero.
I njëjti shtoi se do të punojë që të nënshkruajë me Neymarin nga Paris Saint-Germain.
“Nënshkrimi i Neymarit do të jetë i lirë, sepse investimi do të jetë më i madh se shpenzimi”, deklaroi ai.
Neymar është larguar nga Barcelona në vitin 2017 dhe që atëherë klubi nuk ka sukses në Evropë. /Telegrafi/