Është java e fundit ku partitë politike mund të paraqesin para qytetarëve programet e tyre dhe t’i bindin ata që në ditën e zgjedhjeve (9 shkurt) të votojnë për partinë që duan.
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (PDK), Alban Zogaj, i cili mban numrin 28 në listën zgjedhore të LDK-së në një intervistë për Telegrafin ka shpalosur synimet, prioritetet si dhe programin e saj parazgjedhor të quajtur “Rruga e Re”.
Zogaj ka deklaruar se gjatë muajve të fundit, partia ka vërejtur një disponim të jashtëzakonshëm dhe mbështetje të madhe nga qytetarët në takimet e ndryshme.
Sipas tij, LDK është partia e vetme që ka një plan konkret dhe realist për zhvillimin e vendit.
“E them me bindje të plotë që e kemi programin jo vetëm ma të mirin, po edhe të vetmin program politik. Këtë e kanë vlerësu qytetarët e e Kosovës, janë duke e vlerësu në vazhdimësi. Ky program i joni është i fokusuar në projekte kapitale dhe fokusin e ka në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Zogaj.
Në fokus të programit të LDK-së është zhvillimi ekonomik i Kosovës, pasi sipas Zogajt, vendi ka përjetuar stagnim ekonomik gjatë katër viteve të fundit.
“Ne duhet ta kthejmë dinjitetin tek qytetarët e Kosovës. Andaj, zotimi jonë kryesor, që edhe kryeministri i ardhshëm Lumir Abdixhiku është duke e përmendë vazhdimisht ‘në javën e parë do t’i rrisim pagat’. Koeficientin duhet ta bëjmë 150 euro, që nënkupton rritje gati 200 euro për secilën pagë… Fokus i programit tonë politik është kryesisht zhvillimi ekonomik, 120 projekte kapitale, 5 miliardë euro investime në mandatin tonë të parë”, u shpreh ai.
Zogaj ka shpjeguar se këto investime do të përfshijnë fusha të ndryshme, përfshirë shëndetësinë, arsimin, sportin, kulturën, infrastrukturën, dhe energjinë.
Ai po ashtu ka theksuar se investimi në këto projekte është një nevojë e domosdoshme për t’i dhënë fund varfërisë dhe stagnimit të zhvillimit që ka karakterizuar vitet e fundit në Kosovë.
Kandidati për deputet nga LDK, po ashtu ka folur edhe për investime prej 1.5 miliardë eurosh për projekte kapitale në kryeqytet, duke përfshirë ndërtimin e Unazës së Jashtme dhe shumë çështje të tjera të cilat mund t’i shikoni në intervistën dhënë për Telegrafin. /Telegrafi/