Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Valdrin Lluka në një intervistë për “Përballje ditore”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka folur rreth kandidimit të tij në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, dhe programit qeverisës që ofrojnë në kuadër të koalicionit me Nismën dhe Partinë e Drejtësisë.
Lluka ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri stabile.
“Koalicioni ynë është koalicion shtetformues, koalicioni ynë do t’i jep kahje finale qeverisë. Duke u bazuar në anketat se ku janë partitë më të mëdha, secili kombinim i mundshëm nuk mund të arrijë të bëjë një qeveri të fortë, duhet t’i ketë 60 deputetë shqiptarë, përndryshe me 51 deputetë shqiptarë nuk do të mund të arrijë të jetë i qëndrueshëm dhe të mos finalizohen punët e mëdha”, ka thënë ai.
Gjatë intervistës, Lluka ka pohuar se programi i tyre do të jetë i fokusuar në zhvillimin ekonomik.
“Tri shtyllat kryesore do të jenë arsimi, rinia dhe sporti, pjesa e dytë zhvillimi ekonomik dhe sistemi shëndetësor. Këto janë shtyllat kryesore, por parashihen dhe tema siç janë dialogu dhe taksa. Mendoj që kemi një plan-program të kompletuar, më të mirin nga partitë tjera, sidomos sa i përket zhvillimit ekonomik jemi larg nga të gjithë”.
“Kur flasim për Trepçën ne jemi ata që i kemi dhënë kahje kësaj çështje dhe tashmë është e gatshme për investime, po ashtu edhe Telekomin e kemi gjetur buzë falimentimeve dhe me kontrata të dëmshme dhe tashmë janë ndërprerë disa kontrata dhe Telekomi po merr frymë lirshëm. Termocentrali është nënshkruar nga qeveria që tashmë është larguar dhe është ndër projektet madhore që kemi pasur në Kosovë. Tri këto projekte dhe disa tjera që kanë filluar do t’i mundësojnë Kosovës rritje ekonomike për 2 për qind më shumë – nga 4 sa është tani në 6 për qind”, theksoi ai.
Gjithashtu Lluka ka thënë se ka pajtueshmëri brenda koalicionit sa i përket zhvillimit ekonomik.
Ai ka shtuar se qeveria e re duhet të fokusohet në zhvillim ekonomik dhe të largohen temat që kanë të bëjnë me Serbinë.
“Përderisa ne nuk fokusohemi në ekonomi dhe merremi me Serbinë, përçojmë mesazhe që po duam të merrem me ta. Duhet të vjen një qeveri që i jep fokus të madh ekonomisë ose në afat të shkurtë të kryeje çështjen me Serbinë. Duhet të bëjmë politika më të mira dhe të kopjojmë shtetet që kanë ekonomi të mirë”, deklaroi ai.
Në fund, Lluka u shpreh i bindur se koalicioni Nisma-AKR-PD në zgjedhje do të sigurojë së paku 12 deputetë. /Telegrafi/