Telegrafi

Kandidatët që mund të marrin drejtimin e Shqipërisë

(Fotomontazh: Getty Images/Guliver)

Pasi vendosi të shkarkojë Christian Panuccin, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, së bashku me stafin e tij të bashkëpunëtorëve, janë vënë në lëvizje për të gjetur një tjetër emër që do të ulet në stolin e kuqezinjve.

Sfida e të hënës në Andorra i është besuar ndihmësit të Panuccit, Ervin Bulku, i cili do të asistohet edhe nga trajneri me eksperiencë, Sulejman Mema, ndërsa synimi është që Kombëtarja të ketë një trajner të ri në muajin qershor, për ndeshjet e radhës eliminatore.

Edy Reja ishte emri i parë që u përfol se do të marrë vendin e Panuccit, me teknikun 73-vjeçar që ishte edhe në tribunën e “Loro Boriçit”, për të ndjekur nga afër sfidën përballë Turqisë.

Edoardo Reja është favorit për postin e trajnerit të Kombëtares (Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Presidenti i FSHF-së nuk e mohoi Rejan si alternativë, ndonëse duket se nga takimi i parë mes palëve, kanë mbetur shumë gjëra pezull – transmeton Top Channel.

Ndërkohë, së fundi raportohet se është rikthyer fuqishëm një tjetër emër, ai i Luigi Di Canio. Ish-trajneri i Udineses ishte një pretendent i fortë edhe për të pasuar Gianni De Biasin, por atëherë garën e fitoi Panucci.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Shqipërisë

Krahas italianëve, që duket se janë të preferuarit e FSHF-së, për vetë faktin se vijnë nga një vend fqinj dhe e njohin mirë mentalitetin shqiptar, zgjidhja mund të vijë edhe me një ish-lojtar të Kombëtares.

Besnik Hasi është një tjetër emër në qarkullim (Foto: Srdjan Stevanovic/Getty Images/Guliver)

Bëhet fjalë për ish-mesfushorin dhe kapitenin e kuqezinjve, Besnik Hasin, i cili aktualisht është i papunë dhe do të mirëpriste një ftesë për të drejtuar kuqezinjtë.

Gjakovari ka qenë një alternativë për të drejtuar Shqipërinë edhe para se të ulej në stol De Biasi, por atëherë presidenti i Anderlechtit nuk e lejoi të pranonte ofertën e Dukës.

Vetë ky i fundit, vlerëson kandidaturën e Hasit si njeri që njeh mirë ambientin dhe mentalitetin shqiptar, mund të ndihmojë në bashkimin e grupit dhe mbi të gjitha, mund të sjellë ndonjë lojtar tjetër nga Kosova në Kombëtare.