Njohësit e çështjeve politike theksojnë se kandidatët për president shteti në Maqedoninë e Veriut kësaj radhe gjatë gjithë fushatës kanë demonstruar një kulturë të lartë komunikimi, si gjatë debateve televizive, ashtu edhe në takimet e drejtpërdrejta me elektoratin.
Në këtë drejtim, Aleksandar Kërzhallovski, analist politik, thotë se gjuha unifikuese do të jetë vendimtare që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të motivohen për të dalë në votime në raundin e dytë zgjedhor, në të kundërtën, shton ai, do të jetë shumë problematike arritja e pragut prej 40 për qind, i nevojshëm që zgjedhjet të jenë të suksesshme.
“Mbetet e hapur çështja nëse shqiptarët do të mund të motivohen që të dalin për të votuar në raundin e dytë për njërin nga dy kandidatët maqedonas, sepse sondazhet tregojnë se kandidati shqiptar do ta ketë vështirë të kalojë. Nga këtu buron dhe ulja e toneve si dhe koketimi nëse do të mund të shprehem ashtu, me elektoratin shqiptar, në njërën anë kandidati i socialdemokratëve dhe kandidatja e opozitës maqedonase”, thotë Kërzhallovski.
Kandidati i pavarur për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, i cili mbështetet nga dy partitë politike shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se Ligji i gjuhëve nuk ka nevojë për një shtrirje më të gjerë, por nevojitet një ligj i cili nuk do t’i përcaktojë shqiptarët si përkatësi e 20 për qindëshit.
Kandidatja për presidente të shtetit, Gordana Siljana Davkovski, e cila mbështetet nga partia maqedonase në opozitë, OBRM-PUKM, thotë se është e vetëdijshme se nuk mund të zgjidhet presidente e shtetit pa votat e shqiptarëve.
Nga ana tjetër, Stevo Pendarovski, kandidat konsensual mes social demokratëve të kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), zotohet se do të angazhohet për implementimin e plotë të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në të gjitha poret e shoqërisë, ashtu siç e parasheh ligji./REL/