Site icon Telegrafi

Kandidatët e Vetëvendosjes që morën më së shumti vota në Istog

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që në këto zgjedhje në komunën e Istogut të marrë 7531 vota gjithsej, apo shprehur në përqindje rreth 43.81%.

Në një listë të siguruar nga mediumi lokal IstoguChannel, Vjosa Osmani është më e votuara me 5658 vota, pasuar Valdet Januzaj me 3310 vota, pastaj Glauk Konjufca me 2893 vota.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë 1242 vota, ndërkaq Vasfije Krasniqi 1118 vota. Avni Dehari mori vetëm 708 vota. Nga istogasit vota ka siguruar edhe Donika Gërvalla, 1 mijë e 934 vota. (Në fund të lajmit keni listën e plotë).

Lexo po ashtu Top pesëshja më e votuar e LDK-së në Istog

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë tashmë janë publikuar, por rezultatet përfundimtare dhe certifikimi i tyre mund të marrë të paktën edhe dy javë.

Në bazë të rezultateve preliminare, zgjedhjet e 14 shkurtit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani, sipas projeksioneve ka arritur që e vetme të fitojë 56 ulëse, e që me votat nga diaspora, mund të rrisë edhe më shumë numrin e ulëseve në kuvend.

Disa nga partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, prandaj nuk priten vonesa në krijimin e qeverisë së re, Kurti 2.

Sfidë e parë për koalicionin qeveritar do të jetë zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, pasi për këtë proces, nevojitet pjesëmarrja e mbi 80 deputetëve në votim.

Po ashtu ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisë procesi i numërimit të votave të ardhura me postë nga diaspora në Kosovë.

Përveç votave nga diaspora, KQZ-ja nuk ka nisur as procesin e numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, njofton Telegrafi.

Pa votat e diasporës dhe ato me kusht, kjo është renditja e votave në Istog: LVV (43.81% apo 7.505 vota), LDK (26.76% apo 4.584 vota), AAK (11.95% apo 2.048 vota), PDK (9.54% apo 1.634 vota).

Exit mobile version