Site icon Telegrafi

Kanceri i qafës së mitrës jep simptoma vonë, gjinekologu Morina tregon rëndësinë e Pap Testit 

Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri që zhvillohet në qafën e mitrës, pjesë kjo e poshtme e mitrës që lidh mitrën me vaginën.

Ky lloj kanceri shpesh është si pasojë e infeksionit kronik me lloje të caktuara të virusit HPV (Human Papilloma Virus), i cili mund të shkaktojë ndryshime të qelizave të qafës së mitrës dhe në disa raste, të çojë në zhvillimin e kancerit.

E lidhur me kancerin e qafës së mitrës ka folur gjinekologu Memli Morina në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

“Sa i përket simptomave shenjave nuk do të kisha folur fare, sepse shfaqja e këtyre shenjave është tepër vonë… Kanceri i qafës së mitrës kur jep shenjat është vonë, por për fat të mirë ka mënyra shumë të efektshme të parandalimit.

Pap Testi duhet të bëhet te gjitha gratë sepse i gjen problemet ende pa dhënë shenja. Ajo grua mund të jetë mirë, por Pap Testi mund të tregojë probleme ndonjëherë shumë serioze”, tha ai.

Sipas tij, Pap Tesi nënkupton marrjen e qelizave prej tri vendeve dhe analizohen dhe shihet a ka ndryshime në këto qeliza.

“Nëse PAP Testi nuk del mirë kjo nuk është baras me kancer… dhe nëse nuk del mirë ky nuk është skenar fatal… menaxhimi është shumë i mundshëm…”, tha ai.

Gjinekologu Memli Morina tha tutje se një grua mund të ketë ndryshime të theksuara në qafën e mitrës që nëse zbulohet me kohë nuk ka nevojë të hiqet as qafa e mitrës, as mitra, trajtimi është minor dhe po të ketë plan edhe shtatzëni mund të ndodh.

Podcasti “Shëndeti në rend të parë” mbështetet nga kompania Muqa Solar.

Podcastin e plotë mund ta shikoni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. /Telegrafi/

 

Exit mobile version