Site icon Telegrafi

Kanceri i gjirit mund të trajtohet pa kimioterapi, pohojnë shkencëtarët spanjollë

Kanceri i gjirit mund të trajtohet pa kimioterapi, sipas një studimi nga një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve

Pothuajse një në tetë gra mund të vuajnë nga kanceri i gjirit gjatë jetës së tyre dhe ky është shkaku kryesor i vdekjes së grave me tumore, sipas Shoqatës Spanjolle për Luftën Kundër Kancerit, transmeton Telegrafi.

Në këtë shtet, vëmendje e madhe i kushtohet kërkimit shkencor në lidhje me trajtimin e kancerit të gjirit, kështu që hulumtimi “Air-X Ponder” u krye në 21 spitale spanjolle.

Dr. Begona Bermejo, anëtar i ekipit kërkimor që merret me kancerin e gjirit në Klinikën Universitare në Valencia, thotë se rezultatet e tij tregojnë se kimioterapia nuk ka pse të zbatohet te gratë në menopauzë që vuajnë nga kanceri pozitiv i hormonit (HR) ose kanceri negativ HER 2.

Shkencëtarët shpjegojnë se një qasje e tillë do ta bënte trajtimin më të lehtë për pacientet, sepse ato do të shmangnin efektet negative të kimioterapisë.

“Sipas rezultateve të hulumtimit, përjashtimi i kimioterapisë te ky grup pacientësh, në të cilin një e treta kishte prekur nyjat limfatike, nuk e përkeqëson prognozën. Prandaj, në këtë grup pacientësh, kimioterapia nuk ka pse të zbatohet “, thotë Dr. Emilio Alba, shef i departamentit të onkologjisë në Spitalin Universitar në Malaga.

Studimi u krye me 5,000 gra që vuajnë nga këto dy lloje të kancerit të gjirit, të cilat janë gjithashtu nëntipet më të zakonshme që prekin pacientët.

Trajtimi standard, i cili është përdorur për tre dekada, është kimioterapia me terapi hormonale dhe trajtimi mund të zgjasë me vite. Shkencëtarët tani pretendojnë se vetëm terapia hormonale mund t’u jepet disa pacientëve, nëse konfirmohet nga testi gjenetik që jep përgjigje në lidhje me mundësinë e përsëritjes së kancerit dhe sa e suksesshme do të ishte kimioterapia. /Telegrafi/

Exit mobile version