Site icon Telegrafi

Kanadaja konfirmon përkushtimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Kanadasë në të gjitha proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës.

“Ai shprehu mirënjohjen në veçanti për mbështetjen e dhënë për zhvillim, avancim të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe përkrahjen në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ambasadorja Blitt, e cila është ambasadore rezidente në Zagreb të Kroacisë, falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen. Ajo ritheksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kanadasë ndaj Republikës së Kosovës, si dhe mbështetjen në rrugëtimin e saj për integrim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Tutje, në komunikatë thuhet se duke theksuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, u ritheksua përkushtimi për zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit dhe mundësive në sektorin e minierave, energjisë së ripërtëritshme dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit.​ /Telegrafi/

 

Exit mobile version