Telegrafi

Kampioni pret Prishtinën, tri ndeshje tjera interesante në Superligë

Java e 10-të e elitës së futbollit kosovar do të sjellë edhe katër ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje.

Padyshim vëmendja më e madhe e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Mitrovicë, ku kampioni në fuqi Trepça ’89 do të jetë nikoqire e Prishtinës.

‘Xehetarët’ futën në këtë takim pas katër ndeshjeve pa humbje ku kanë arkëtuar 10 pikë dhe aktualisht zënë pozitën e dytë në tabelë.

Ndërkohë Prishtina ndeshjen e fundit triumfoi minimalisht 1-0 ndaj Vëllaznimit dhe ka një pikë më pak se rivali i saj.

Njëri nga mesfushorët më të mirë në Kosovë, Rron Broja i vendasve ka folur për Telegrafin para kësaj sfide të vështirë.

“Jemi përgatitur mjaftë mirë për këtë takim të vështirë që na pret”, u shpreh Broja.

“Qëllimi ynë i vetëm është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive”.

“Trepça ’89 do të kërkojë ta mbrojë titullin e kampionit dhe kjo na bënë që të futemi në çdo ndeshje për fitore”, u shpreh Broja, sipas të cilit fitorja e Llapit ditën e shtunë dhe distanca prej katër pikëve nuk i vë në presion pasi nuk është distancë e madhe.

Ndërkohë klubi kryeqytetas në këtë takim do të ketë disa mungesa të rëndësishme.

Prishtina hendikep do të ketë mungesën e kapitenit Dallku i cili mungon për shkak kartonëve dhe atë pritet të zëvendësoj ardhja më e re në skuadër, ganezi Quansah. Ndërsa Khalid mungon në stinorin pranveror.

Ndeshje tejet interesante pritet të jetë edhe ajo në Gjakovë, mes Vëllaznimit dhe Dritës nga Gjilani.

Besa e Pejës do të jetë nikoqire e Vllaznisë së Pozhoranit, ndërsa Gjilani do të pres Drenicën. /Telegrafi/