Driton Kuka po e përjeton ëndrrën.
Ëndrrën e tij, trajneri 44-vjeçar nga Peja po e jeton përmes nxënësve të tij, para së gjithash, përmes Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e Distria Krasniqit.
Kukës i kishin mbetur vetëm ëndrra synimet që i kishte si garues, por synimet që i kishte si garues i ka edhe si trajner dhe tashmë po i realizon, shkruan sot Koha Ditore. Ka mbetur vetëm edhe medalja olimpike, që shpreson ta fitojnë këtë verë, që Driton Kuka të ndihet si njeri i kompletuar i xhudos, sportit luftarak që lindi në Japoni e që po i bën krenarë shumicën e kosovarëve.
Majlinda Kelmendi javën e kaluar fitoi titull të Evropës dhe bëri të mundur që flamuri i Kosovës të valojë në Rusi dhe që në këtë vend të intonohet himni i Kosovës. Të njëjtën ditë Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë evropiane.
Janë këto sukseset e radhës për xhudistet e klubit “Ippon” nga Peja, nxënëse të mjeshtrit Kuka. Xhudistet janë të vetëdijshme se prapa suksesit të tyre qëndron Kuka, puna e përkushtimi i tij.
Edhe rejtingu që sporti i xhudos ka arritur në vend, duke u bërë sporti bindshëm më i suksesshëm, është meritë e madhe e Driton Kukës, dikur shpresës së madhe të Jugosllavisë në xhudo.
Ndërprerja e karrierës si xhudist, ndërtimi i palestrës në pronën e tij, tejkalimi i rretheve kosovare dhe rajonale, ngritja në nivelin më të lartë të nxënësve të tij, kujdesi maksimal për të gjitha gjërat, shtyrja para e shumë proceseve që lidhen me sportin. Janë këto disa prej pikave që mund ta përkufizojnë karrierën e deritashme të Driton Kukës, trajnerit tashmë të respektuar edhe në mesin e mjeshtërve botërorë të xhudos