Site icon Telegrafi

Kampioni i fortë për Dritën, mbetet në luftë për titull

Kampioni aktual i Kosovës Feronikeli ka arritur një fitore të madhe nga udhëtimi në Gjilan.

Nikli mposhti Dritën në udhëtim me rezultat minimal 0-1, falë një goli në fund të ndeshjes nga Mark Milicaj.

Të dyja skuadrat kishin nevojë të madhe për tri pikët dhe kështu u futën me presion në këtë takim.

Gjilanasit janë në luftë për mbijetesë, ndërsa Feronikelit tri pikët do ta afronin në gjashtë pikë me liderin Trepça ’89.

Ndeshjen më mirë e nisën vendasit që në minutën e tretë rrezikuan nëpërmjet Semir Zenelit por pa sukses.

Në vazhdim të ndeshjes, të dyja skuadrat aplikonin lojë të hapur por që sulmet e tyre nuk gjenin golin.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para në këtë sfidë e cila u përcoll nga rreth 3500 tifozë.

Edhe në pjesën e dytë gjilanasit kërkuan me ngulm golin e epërsisë, por mysafirët luanin të sigurt në mbrojtje.

Portieri më i mirë në Kosovë, Faton Maloku shpëtoi kampionin në tri raste të mira.

Maloku intervenoi për mrekulli në dy raste të Alban Shilloves dhe një tjetër të Përparim Livorekës.

Në minutën e 89-të erdhi edhe goli i parë në këtë sfidë.

Ishte sulmuesi anësorë, Mark Milicaj që realizoi gol me një goditje të saktë e cila u devijua nga mbrojtësi Gzim Gashi.

Pas kësaj fitore, Feronikeli ka 39 pikë në tabelë duke zënë pozitën e tretë, dhe ka gjashtë pikë më pak se Trepça ’89.

Ndërkohë Drita mbetet në pozitën e 10-të me 15 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/

Exit mobile version