Telegrafi

Kampi i Barcelonës në Kosovë ka mbledhur 235 fëmijë (Foto)

Gjiganti spanjoll Barcelona, ka filluar kampin e saj për fëmijë në Kosovë.

Ky kamp është duke u zhvilluar në Kastriot në stadiumin e KEK-ut dhe ka zgjuar interesim të madh në vendin tonë.

Në një intervistë për Telegrafin, koordinatori i këtij kampi, Adnan Ahmeti ka folur për ecurinë e kampit dhe punën që po zhvillohet aty.

“Kampi ka filluar dhe është duke shkuar shumë mirë, dita e parë ka qenë më e shtirë si gjithmonë që është fillimi, dita e dytë shumë e mirë, ndërsa sot është ndrequr koha shumë mirë që është shumë e rëndësishme për stërvitje”, deklaroi Ahmeti, i cili thotë se prindërit dhe trajnerët e Barcelonës kanë mbetur shumë të kënaqur.

“Prindërit janë shumë të kënaqur me punën që po bëhet me fëmijët e tyre. Edhe trajnerët e Barcelonës kanë mbetur të kënaqur me cilësitë që kanë treguar fëmijët kosovarë”, vazhdoi tutje Ahmeti.

Në këtë kamp janë anëtarësuar 235 fëmijë, ndërsa janë ndarë në tri grupe për stërvitje dhe janë gjithsej pesë grupmosha. Kampi do të jetë i hapur deri të mërkurën.

“Dy fëmijë do të përzgjedhën dhe do të mbajnë një javë stërvitje në hapësirat e shkollës së Barcelonës”, deklaroi Ahmeti.

Ai ka thënë se fusha në përgjithësi në Kastriot është e mirë por ka disa mungesa bazike.

“Në përgjithësi janë të kënaqur me fushën, por ka disa gjëra që mungojnë që janë elemente bazike që duhet t’i ketë një fushë futbolli”, përfundoi Ahmeti. /Telegrafi/