Korab Basha dhe Burim Mjeku, kameramanë në Telegrafi.com, kanë fituar çmimin vjetor “Kameramani më i mirë i vitit”, i cili u është ndarë këtë të mërkurë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Storja me të cilën Basha e Mjekun dolën fitues mban titullin “Të jesh i padukshëm për armikun – pjesëtarët e FSK-së gjatë ushtrimeve të kamuflimit në kazermën ‘Ushtarët e NATO-s’ në Istog“.
Këtë çmim ata ia dedikuan drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artistit Arlind Gjikolli – Gjikla, i cili ndërroi jetë të hënën.
Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Vjetore të Gazetarisë dhe shënimin e 20-vjetorit të themelimit të AGK-së, kameramani Korab Basha, i cili në bluzën e tij kishte të printuar fotografinë e Gjiklës, tha se pa këtë të fundit portali Telegrafi nuk do të ishte ky që është sot.
“Ne si portal jemi të ngarkuar emocionalisht pasi dje e kemi përcjell drejtorin tonë nga kjo botë, Arlind Gjikollin – Gjiklën, pa të cilin portali ynë besoj se nuk do të ishte kaq gjigand. Sidoqoftë, unë dhe Burimi këtë çmim ia dedikojmë Gjiklës, një artist i jashtëzakonshëm”, tha Basha.
Drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti, Arlind Gjikolli – Gjikla, u nda nga jeta mbrëmjen e së hënës (5 dhjetor), në moshën 41 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.