Këngëtarja shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, ka prezantuar të premten për fansat këngën e saj më të re “Physical”.
Kënga e cila vjen si një stil i viteve 80’s e sjell Duan të veçantë në performancë dhe stil, gjë për të cilën ajo ka punuar me një numër të madh bashkëpunëtorësh.
E veçanta e klipit është se Dua shfaqet në disa skena të ndryshme dhe në secilën prej tyre ka një ngjyrë ndryshe në dukjen e saj.
Së fundmi, përmes disa imazheve të publikuara në rrjetin social Instagram, artistja Lipa ka treguar se realizimi i këtyre skenave nuk ishte i lehtë, pasi ajo u desh të ndërrojë tërësisht veshjen dhe makijazhin plot shtatë herë.
Duke ardhur gjithnjë me një ngjyrë tjetër, Dua duket se arriti që ta bëjë klipin e saj me shumë ngjyra – ndonëse ajo njihet edhe si përkrahëse e madhe e komunitetit LGBTI.
“Ne bëmë disa herë ndërrimin e makijazhit”, shkroi këngëtarja shqiptare në mbishkrimin e këtyre fotografive, që tregonin ndryshimin e saj drastik nga skena në skenë.
Ndërkohë, e njëjta më pas publikoi edhe të tjera fotografi, që tregonin një moment lodhjeje gjatë xhirimeve të klipit.
“Unë jam e gjitha e veshur, por ende duke menduar nëse mund t’i anuloj planet e mia dhe të kthehem në shtrat”, ka shkruar 24-vjerçarja.
Dua përndryshe ka bërë të ditur se albumi i saj i ri “Future Nostalgia”, do të publikohet i plotë më 3 prill. /Telegrafi/