Telegrafi

Kamberi e akuzon Lajçakun për standarde të dyfishta: Pas kërkesave të mia për takim, asnjë përgjigje pozitive

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për standarde të dyfishta.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kamberi ka thënë se derisa Lajçak po i takon serbët e Kosovës, i njëjti nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së deputetit për takim në lidhje me diskriminimin e shqiptarëve në Serbi.

Ai tutje ka thënë se ka kërkuar vazhdimisht takim me emisarin evropian në mënyrë që të diskutojnë për çështjet e diskriminimit dhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi.

“Derisa Lajçak takohet me serbët e Kosovës, unë si deputet që përfaqësoj rreth 100 mijë shqiptarë në Serbi, kam kërkuar vazhdimisht takim për të diskutuar për çështjet e diskriminimit, nga dezintegrimi e deri pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi. Për fat të keq, nuk ka pasur përgjigje pozitive nga Lajçak apo ekipi i tij. Standarde të dyfishta nga Përfaqësuesi Special i BE-së”, ka shkruar Kamberi. /Telegrafi/