Policia e Kenias ka arrestuar një burrë të cilin e ka përshkruar si një “vrasës serik”, i cili dyshohet se ka qenë pas vrasjes së tmerrshme të nëntë grave, trupat e gjymtuar e të cilave u gjetën në një gurore të pashfrytëzuar të përdorur si një vendgrumbullim mbeturinash.
Policia thotë se Jomaisi Khalisia, 33 vjeç, ka pranuar se ka vrarë 42 gra që nga viti 2022, përfshirë edhe gruan e tij, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
I dyshuari u arrestua në një bar të hënën herët në mëngjes teksa po shihte finalen e kampionatit evropian në futboll.
Ka pasur tronditje dhe zemërim në Kenia që kur trupat e parë të copëtuar u gjetën të premten në guroren Mukuru në kryeqytetin, Nairobi.
“Ai pranoi se kishte joshur, vrarë dhe asgjësuar 42 trupa femrash në vendgrumbullim, të gjithë të vrarë nga viti 2022 deri të enjten”, ka thënë Mohamed Amin, kreu i Drejtorisë së Hetimeve Kriminale (DCI).
Ai tha se pas arrestimit, i dyshuari i ka çuar zyrtarët policorë në shtëpinë e tij, rreth 100 metra larg vendit të krimit.
Policia tregoi për mediat disa nga sendet që thuhet se janë gjetur nga shtëpia e të dyshuarit, duke përfshirë 10 telefona, një laptop, karta identiteti dhe veshje personale femërore.
Ata gjetën gjithashtu një hanxhar që “besonin se po përdorej për copëtimin e viktimave”, dhe nëntë thasë si ata të përdorur për asgjësimin e trupave.
Që nga e premtja, policia ka rrethuar deponinë ku u gjetën trupat në faza të ndryshme dekompozimi.
Sipas policisë, viktimat ishin të moshës nga 18 deri në 30 vjeç dhe të gjithë u vranë në të njëjtën mënyrë.
Policia tregoi se ishte ende duke marrë në pyetje të dyshuarin për të përcaktuar motivin e vrasjes dhe ai do të nxirret në gjykatë të martën.
Ata kanë kërkuar nga familjet “që besojnë se të dashurit e tyre mund të kenë rënë pre e këtyre vrasjeve makabre” të lajmërohen në polici.
Një person i dytë me një telefon që i përket njërës prej viktimave është arrestuar gjithashtu dhe do të trajtohej ose si bashkëpunëtor ose i dyshuar.
Autoritetet mbikëqyrëse të policisë së Kenias kanë bërë të ditur më herët se po hetonin nëse kishte ndonjë përfshirje të policisë në krimet, pasi vendgrumbullimi është afër një stacioni policie. /Telegrafi/