Telegrafi

“Kam me ta marr shpirtin, e me ta zhduk familjen”, një muaj paraburgim ndaj personit që kanosi policin në Ferizaj

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.A.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Sipas njoftimit për media thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 4 tetor 2021, në një kafiteri në Ferizaj, ka kanosur seriozisht me fjalë se do ta privoj nga jeta të dëmtuarin-zyrtarin policor B.V. në atë mënyrë që përderisa shoqërohet për në stacion policor nga ana e të dëmtuarit, meqë i njëjti paraprakisht kishte qenë duke konsumuar alkool në kafiteri gjatë kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, sipas masave anti-covid, i njëjti iu drejtohet me fjalë “ty kam me ta marr shpirtin, a e din ti se kush jam unë, kam me të zhdukë, kam me të vra ty dhe kam me ta zhduk familjen”, ashtu që kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim dhe ankth tek i dëmtuari.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/