Site icon Telegrafi

“Kam ëndërruar gjithmonë për Shqipërinë”

Migjen Basha, u shfaq sot në konferencën për shtyp para mediave në Francë, aty ku po përgatitet Kombëtarja për sfidën me Zvicrën, teksa siguroi se gjendja e skuadrës është e mirë ashtu si atmosfera në skuadër.

Paradite skuadra bëri një mbledhje, por Basha nuk tregon detaje teknike të asaj çka u diskutua: “Trajneri na dha më shumti këshilla teknike, detaje të cilat nuk i tregojmë dot. Kemi patur mundësi të shohim kundërshtarët. Janë disa gjëra që trajneri na ka treguar, dhe duhet të mundohemi të vëmë në vështirësi kundërshtarin në ato pika të dobëta që ka. Zvicra ka një ekip të mirë, por ne duhet të bëjmë maksimumin”.

“Basha titullar? Nuk mundem të flas për formacionin. Unë mendoj të jem titullar, siç e mendojnë të gjithë. Vendos trajneri në fund. Unë jam në gatishmëri, nëse luaj jap maksimumin. Nëse jo, atëherë duhet të ndihmoj nga stoli”.

Basha ka luajtur edhe me moshat e Zvicrës, por gjithmonë ka ëndërruar të jetë pjesë e Shqipërisë, dhe jo të arrinte një objektiv madhor si ky me përfaqësuesen helvete.

“Edhe kur kam luajtur me moshat e Zvicrës, kam ëndërruar të jem pjesë e Shqipërisë. Nuk e kam menduar që të luaja në një kompeticion të tillë me Zvicrën. Sigurisht, kur isha te moshat e Zvicrës federata nuk kishte interes, por ajo është diçka që i përket të kaluarës që nuk është edhe aq interesante të bisedojmë sot. Ajo kohë ka kaluar dhe unë bëra disa vite që jam pjesë e Kombëtares, dhe kjo është e rëndësishme”.

Mesfushori që e përfundoi sezonin me Comon, është ndër të parët lojtarët që la Zvicrën për Shqipërinë: “Ndoshta edhe mund të themi që i kam thyer unë “akujt”. Në fillim kisha probleme me pasaportën, e pasi e zgjidha u bëra pjesë e Shqipërisë. Më  pas nisën të vinin edhe të tjerë. Nuk është meritë e imja, por meritë është edhe e federatës që ka nisur të bisedojë me shumë futbollistë nëpër Evropë”.

Në fund Basha pyetet për pikat e dobëta të Zvicrës, dhe përgjigja është: “Nuk mund të them emra. Repart? Kanë lojtarë të mirë në çdo repart. Duhet të mendojmë për të mirat tona. Nëse jemi një grup, dhe nuk bëjmë gabime, ndryshe nga ndeshjet e fundit që kemi pësuar disa gola të thjeshtë, mund t’i krijojmë probleme kundërshtarit, sigurisht nëse mbrohemi fort dhe në kundërsulm jemi më mirë”.

Exit mobile version