Telegrafi

Kallëzimi penal ndaj Martin Berishaj, avokati i tij: Është në Prishtinë dhe i gatshëm për të dhënë sqarime

Pasi Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi këtë të premte kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka reaguar avokati i tij, Tomë Gashi.

Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se qysh me 21 janar të këtij viti e ka njoftuar Prokurorinë Speciale se ambasadori Berishaj është në Prishtinë dhe në çdo moment i gatshëm për të dhënë sqarime.

Tutje, Gashi ka thënë se drejtësia nuk bëhet me presion, por me fakte.

“Për ata që gjithmonë vonohen. Unë po i njoftoj ata se qysh me 21-01-2023, i jam drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke njoftuar Prokurorinë se z. Berishaj është në Prishtinë dhe se në çdo moment ai është i gatshëm për të dhënë sqarime ne Prokurori. Martini nuk ka se çfarë të fshehë”, ka shkruar avokati mes tjerash.

Ndryshe, deputetët e LDK-së të premten kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në Zyrat e Prokurorisë Speciale. Emri i tij së fundmi është implikuar në një skandal financiar në Slloveni.

Lexo po ashtu LDK-ja dorëzon kallëzimin penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Në nëntor të vitit të kaluar, ai ishte i ftuar për të raportuar në Komisionin Hetimor parlamentar për krizën energjetike në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, aty ai ka dhënë deklaratë të rrejshme duke konstatuar “se nuk ka qenë nën marrëdhënie kontraktuale me kompaninë GEN, në Beograd nga viti 2019, derisa ka vazhduar të pranojë qindra mijëra euro deri në vitin 2022″.

“Duke u bazuar në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, nenet 383 dhe 384, lidhur me deklaratat e dhëna nën betim, sot u procedua kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj, për deklarim të rrejshëm. Ky kallëzim është dorëzuar nga deputeti Driton Selmanaj, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Hetimor bashkë me deputetin Besian Mustafa – anëtar i këtij komisioni. Skandali i Berishaj duhet të marrë epilog dhe duhet të mbrohet dinjiteti i Kuvendit dhe vendit”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së. /Telegrafi/