Site icon Telegrafi

Kallëzim i rremë ndaj zyrtarit policor për intoksikim, kërkohet paraburgim ndaj një personi

Foto: Arkiv

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit Y. Xh.,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Prokuroria njofton se, më 07 prill 2022, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në cilësinë e ankuesit, Y. Xh., me dashje ka bërë lajmërim të rremë, kundër të dëmtuarit, zyrtar policor, Sh. S.

“I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit, ka bërë denoncimin se kinse zyrtari policor ka bërë intoksikimin e tij duke hedhur substancë narkotike në shishen e tij të ujit. Pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht ekzaminimit të kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, është konstatuar se në trupin e ankuesit-të pandehurit, nuk ka substancë tjetër përveç medikamenteve të grupit benzodiazepine të cilat i pandehuri i ka pranuar se i ka përdorur”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, me datë 07 prill 2022 në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në cilësinë e ankuesit, me dashje ka bërë lajmërim të rremë se i dëmtuari/Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, ka kryer disa vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i denoncuari nuk i ka kryer këto vepra.

I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit ka bërë denoncimin se kinse Drejtori L.G., në mënyrë tinëzarë kishte vendosur video-incizime në banesën e tij duke përgjuar në mënyrë ilegale, ndërsa pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht, Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe sipas raportit përfundimtar të hetimeve është konstatuar se pretendimet e të pandehurit Y. Xh., nuk mund të qëndrojnë, nuk janë të bazuara, nuk mund të dëshmohen me ndonjë provë dhe nuk mund t’i trajtojmë si të besueshme.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Y. Xh., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 16 qershor 2022. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version