LVV dhe LDK po vazhdojnë të kenë takime për të harmonizuar qëndrimet rreth një koalicioni të mundshëm për formimin e qeverisë se re.
Mirëpo, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk e ka mohuar e as pohuar një partneritet të mundshëm edhe me koaliconin Nisma-AKR-PD, nëse kjo e fundit do të kalonte pragun zgjedhor.
“Përfshirja apo jo e NISMËS në qeveri nuk është faktor që do të mund të thyente shtizat mes Vetëvendosjes dhe LDK-së deri në prishje të koalicionit”, deklaroi të hënën Konjufca.
Nëse ndodhë një gjë e tillë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, do të mund të vononte edhe më shumë krijimin e institucioneve të reja.
“Nëse numërohet votat nga diaspora ka gjasa që deputetët e Vetëvendosjes të shtoheshin në 32 dhe bashkë me ata të LDK-së do të bënin shumicën e mjaftueshme prej 62 të deputetëve. Por, futja e NISMA-s në Kuvend do të ndryshonte të gjitha matematiket e që më pas do të duhet kohë shtesë për formimin e qeverisë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Rasim Alija.
Edhe Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim thotë se kalimi i pragut zgjedhor të Nismës do të ndryshonte matematikën e numrave për qeverinë e re, përcjell Telegrafi.
“Futje e NISMA-s në Kuvend do të ndryshonte kompozicionin momental dhe në çdo negociatë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së do të duhej të futej edhe NISMA si partnere e koalicionit për diskutime të mëtejme për ndarjen e përgjegjësive qeveritare që do t’i kenë”, deklaroi Allen Meta.
Numërimi i të gjitha votave është bërë, ndërsa po pritet vendimi nëse do të numërohen edhe afër 5 mijë vota të ardhura me vonesë nga diaspora. /RTV Dukagjini/Telegrafi/