Site icon Telegrafi

Kalendari Pirelli, gratë e njohura pozojnë pa ngjyra dhe pa grim apo krehje të veçanta (Foto, Video)

Çdo vit është i ndryshëm në kalendarin Pirelli. Ky është viti i së vërtetës.

Fotografi i njohur Peter Lindbergh nuk përcjell rolin e grave të famshme si “ambasadore të perfeksionit dhe rinisë”. Publikisht kundër retushimit, ai ka fotografuar emrat mbretërorë të Hollywood-it me radhë, siç janë, për Kalendarin Pirreli 2017, të publikuar sot në Paris.

Kalendari i titulluar “Emotional” ka 40 imazhe të 14 aktoreve që kanë fituar Oscar: Jessica Chastain, Penélope Cruz, Nicole Kidman, Rooney Mara, Helen Mirren, Julianne Moore, Lupita Nyong’o, Charlotte Rampling, Léa Seydoux, Uma Thurman, Alicia Vikander, Kate Winslet, Robin Wright dhe Zhang Ziyi.

Duke i fotografuar ato pa ngjyra dhe pa grim apo krehje të veçanta, Lindbergh shpreson t’u “kujtojë të gjithëve që ka një bukuri që është më e vërtetë dhe e besueshme dhe nuk është manipuluar nga reklamat apo interesa të tjera”, siç ka thënë në intervistë dje.

“Bukuria flet për individualitetin, kurajën për të qenë vetvetja dhe sensibilitetin tënd, ky është përkufizimi im për gruan sot”, ka vazhduar ai, “ky është qëllimi i kalendarit, të tregojë gruan. Dhe jo këta njerëz të tërhequr, të manipuluar, të zbrazur që shihni sot në revista”.

“Unë mendoj që misioni i Peter dhe i kujtdo të përfshirë, që duan ta çlirojnë gruan nga standardet shtypëse dhe false është fantastik”, ka shtuar Uma Thurman në konferencën për shtyp.

Kalendari shfaq aktore, që sipas standardeve të Hollywood-it janë “të vjetra”, Charlotte Rampling është 70 vjeçe dhe Helen Mirren është 71, Julianne Moore është 55 dhe Robin Wright 50 vjeçe, ndërsa Nicole Kidman 49 dhe fotot e tregojnë moshën e tyre. Vijat e holla të lëkurës janë në fokus. Kate Winslet , 41, madje i kërkoi Lindbergh-ut në mënyrë të veçantë, të kapë kurrizet e duarve të saj.

“Ne jemi mësuar me imazhe shumë spektakolare”, ka thënë Mirren, duke iu referuar fotove të retushuara dhe editorialeve fotografike. “Këtu, ne po i largohemi asaj, të gjejmë ‘të mahnitshmen’ në diçka që është më njerëzore dhe e vërtetë…Ne kemi nevojë që të riedukojmë sytë sepse jemi mësuar kaq shumë me këto foto spektakolare të zbukuruara dixhitalisht.”

Që kur nisi në vitin 1964, kalendari dallonte për publikimin e supermodeleve me seksualitetin të shfaqur hapur, me të brendshme, ose më shpesh, të zhveshura, shkruan revista class. Vitin e kaluar, Annie Leibovitz ndërmori një hap kthese duke sjellë në vend të tyre, portrete të artisteve, shkrimtareve, kineasteve dhe filantropeve të njohura, Ava DuVernay, Yoko Ono dhe Serena Williams ishin disa prej tyre në vitin 2016.

Lindbergh, që ka realizuar më parë fotot e Pirelli-t në 1996, 2002 dhe me Patrick Demarchelier në 2014 për 50-vjetorin e Cal-it, vazhdon drejtimin e ri me temën natyrale. Kur subjektet e tua “janë mësuar të jenë fasadë”, pyet ai, “si e kap shpirtin që shkëlqen?”

Një tjetër personazh i përfshirë që nuk duhet lënë pa thënë, është Anastasia Ignatova, një pedagoge në Moscow State Institute of International Relations. Lindbergh e takoi atë në një darkë në 2015-ën dhe, i goditur nga bukuria e saj, i premtoi që do e përfshinte në kalendarin e ardhshëm Pirelli nëse do realizonte sërish një.

Si dhe në vitet e mëparshme, produkti është vetëm për klientët e rëndësishëm dhe VIP-at. Mediat kanë publikuar disa nga fotot e magjishme, paraprakisht.

 

Nicole Kidman, janar

Robin Wright, prill

Uma Thurman, tetor nëntor…

Edhe ky vit në Pirelli është i bukur!

 

/Telegrafi/

Exit mobile version