Site icon Telegrafi

Kalaja e pathyeshme është thyer – lëshimi më i madh i inteligjencës më të fuqishme në botë: Zbulohet se si Hamasi filloi sulmin në Izrael

Sulmi masiv dhe i papritur nga militantët e Rripit të Gazës habiti izraelitët, të cilët panë se si luftëtarët e Hamasit mposhtën një nga sistemet më të avancuara të sigurisë në botë – të ashtuquajturin “muri i hekurt” ose “gardhi i zgjuar”.

Të paktën 1000 njerëz u vranë në Izrael dhe më shumë se 2600 u plagosën. Sipas një deklarate nga Autoriteti Palestinez, Izraeli goditi Gazën me sulme ajrore, duke vrarë të paktën 900 njerëz.

Lexo po ashtu Shumë viktima, të plagosur, pengje dhe të zhvendosur - gjithçka ndodhi në 33 ditë, që nga fillimi i luftimeve izraelito-palestineze më 7 tetor

E gjithë kjo ndodhi pasi anëtarët e Hamasit arritën të kalonin “gardhin e zgjuar”, që ndan Izraelin nga Gaza.

Ai është i pajisur me teknologjinë më të fundit, i projektuar për të zbuluar çdo sulm ndaj sigurisë së vendit. Kështu ia doli Hamasi.

“Muri i hekurt”

Në vitin 2021, Izraeli njoftoi përfundimin e “gardhit të zgjuar” – një barrikadë 65 kilometra e gjatë përgjatë Rripit të Gazës, e cila kishte gjithashtu një pengesë betoni nëntokësore.

Projekti u bë publik në vitin 2016 pasi Hamasi përdori tunelet nëntokësore për të sulmuar forcat izraelite në luftën e vitit 2014. Më shumë se 140 mijë ton hekur dhe çelik, njëqind kamera, radarë dhe sensorë ishin të nevojshëm për ndërtimin.

Në anën izraelite, u vendosën poste vëzhgimi dhe rërë, në mënyrë që të mos humbiste asnjë detaj më të vogël.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz tha në vitin 2021 se një “mur i hekurt” ishte ngritur midis Hamasit dhe Izraelit jugor.

Lexo po ashtu Tmerr në jug të Izraelit, ushtria gjen mbi 200 trupa të izraelitëve të vrarë – publikohen pamjet rrëqethëse

Të shtunën, ai mur u thye në 29 pika, edhe pse kullat e vrojtimit izraelite ishin vendosur çdo 150 metra përgjatë murit.

Shumë shpejt u bë e qartë se kishte mungesë personeli në kufi dhe një pjesë e madhe e ushtrisë izraelite ishte e fokusuar në trazirat në Bregun Perëndimor.

“Pjesët e pakapërcyeshme të sistemit janë pikërisht ato që tregojnë rrezikun. Por, nëse nuk e sheh rrezikun që vjen, është vetëm një gardh. Një gardh i madh, por i zakonshëm”, tha Matthew Levitt, drejtor i programit kundër terrorizmit në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

Hamasi bombardoi pikat e vëzhgimit izraelit, duke përdorur dronë dhe sisteme armësh.

Izraeli tha se Hamasi hodhi më shumë se 3000 raketa, me disa që arritën deri në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa militantët kaluan kufirin me paragllajderë.

Ushtarët e Hamasit përdorën gjithashtu eksplozivë për të hedhur në erë pjesë të pengesës së padepërtueshme.

Ata shkatërruan gardhin me motorë dhe më pas pasuan buldozerët, të cilët lejuan të kalonin mjete më të mëdha.

Ekspertët vlerësuan se sulmi do të kërkonte javë të tëra përgatitje dhe planifikim të detajuar, shkruan Washington Post.

Michael O’Hanlon, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Brookings, tha se automjetet ka të ngjarë të ishin fshehur diku afër.

“Pajisjet duhej të vendoseshin afër objektivit dhe më pas të fshiheshin në ndërtesa. Shumë automjete mund të ishin fshehur në parkingje ose zona ndërtimi”, tha O’Hanlon.

Militantët pushtuan gjithashtu baza ushtarake pranë kufirit, duke kapur automjete ushtarake dhe duke u vënë zjarrin tankeve. Në disa raste, luftëtarët përparuan disa kilometra në komunitete pranë gardhit të sigurisë që ndan Gazën nga Izraeli, duke kapur civilë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 830 njerëz janë vrarë deri më tani në Rripin e Gazës që kur Izraeli kreu sulmet ajrore të shtunën. Rreth 4100 u plagosën.

Forcat Ajrore izraelite njoftuan në rrjetet sociale se “aktualisht po nisin një sulm në shkallë të gjerë ndaj objektivave terroriste të organizatës terroriste Hamas në Rripin e Gazës”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version