Telegrafi

Kadrijaj – LVV-së: E keni vra pafajësinë kur erdhët në pushtet

Time Kadrijaj

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka akuzuar parinë në pushtet, duke thënë se më nuk mund ta luajnë rolin e të pafajshmit.

“Shyqyr që keni ardhë në pushtet, bash po gëzohem. Por e keni vra atë pafajësinë në të cilën jeni thirr. Për kaq pak pushtet, aq faje keni bo sa që mo nuk jeni të pafajshëm. Mos dilni me luajt rolin e të pafajshmit, sepse jeni mbushë me mëkate deri në maje të kokës”, tha ajo, transmeton Telegrafi.

Tutje Kadrijaj tha që asnjë nismë e opozitës nuk po përkrahet.

“Çfarë ka të keqe nëse kjo nismë për harmonizimin e çmimeve të barnave po kundërshtohet kaq ashpër?”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se Projektligji për rregullimin e çmimeve të barnave është tejet jetik për qytetarët e Kosovës.

“Është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë dhe për të ndaluar abuzimet me çmime. Me vite qytetarët paguajnë barna më shtrenjtë se qytetarët e rajonit. Në 2018 është marrë vendim që të rregullohet ky segment, më pastaj ky udhëzim administrativ është larguar për të lënë pa rregullim të barnave”.

“E kanë edhe vendet e BE-së dhe në Kosovë kërkohet që të ketë një rregullim të çmimeve të barnave. Së bashku me ekspertë kemi punuar që ta sjellim një projektligj që rregullon çmimet e barnave”, tha Haxhiu.  /Telegrafi/