Në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten ka pasur diskutime të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe kryeministrit, Albin Kurti sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj me ironi e ka “uruar” kryeministrin e vendit, Albin Kurti për Asociacionin.
“Zoti Kurti, urime Zajednica, para se me shku po ta uroj”, ka thënë Kadrijaj, raporton Telegrafi.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca duke i thënë deputetes së AAK-së se nuk urohen gjërat e këqija.
“Po nëse mendon që është e keqe Time, nuk urohen gjërat e këqija”, ka reaguar Konjufca.
Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku theksoi se “2 shkurti” është data e pranimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës nga kryeministri, Albin Kurti.
Edhe, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, duke thënë se në të njëjtën ditë e moment ka folur për Asociacionin, kur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i është drejtuar Parlamentit të Serbisë. /Telegrafi/