Telegrafi

Kadri Veseli mungon në gjykimin e Albin Kurtit

Kadri Veseli e Armend Zemaj nuk janë të pranishëm në gjykimin e Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e Albulena Haxhiut për gazin lotsjellës në Kuvend.

Veseli e Zemaj ishin paraparë të dëshmonin sot, por nuk kanë ardhur në seancë.

Të pranishëm nga dëshmitarët e sotëm janë deputetët Naser Osmani e Bekim Haxhiu.

Në fillim dëshminë e tij do ta japë Osmani, e pastaj Haxhiu.

Aktualisht Bekim Haxhiu lëshoi gjykatoren për të ardhur më vonë për të dëshmuar.

Kadri Veseli e Armend Zemaj munguan edhe në seancat e kaluara të këtij gjykimi, edhe pse gjykata ua ka dorëzuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Veseli ishte gjobitur më herët pasi mungoi si dëshmitar.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor 2015, katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Gjykimi ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. /kallxo.com/