Site icon Telegrafi

Kaçe lë hapur mundësinë për largim

Ergys Kaçe është rikthyer protagonist në mesfushën e PAOK-ut pas largimit të trajnerit Igor Tudor dhe afrimit të Vladimir Ivic, i cili i ka dhënë besim të plotë duke e rikthyer në formacionin bazë.

Mesfushori kuqezi u është përgjigjur pyetjeve të tifozëve të skuadrës nga Selanuku, nëpërmjet komunikimit virtual në faqen zyrtare të Superligës së Greqisë.

Fillimisht Kaçe theksoi se skuadra po funksionon më mirë me trajnerin e ri, duke theksuar se PAOK duhet të bëjë maksimumin për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. I pyetur se cilat janë objektivat për të ardhmen, 22-vjeçari theksoi:

“PAOK është skuadra ku jam rritur, familja ime por asnjëherë nuk i dihet të ardhmes. Në futboll ka momente pozitive dhe negative por duhet të gjesh përherë forcën për t’u bërë më i fortë”.

“Shumë shpejt do të numëroj 100 ndeshje zyrtare me këtë fanellë por e pranoj që në të shkuarën edhe kam gabuar. I përkas kësaj skuadre dhe për momentin ju siguroj se mendoj vetëm për PAOK-un”.

Në vijim, Kaçe u ka dërguar një mesazh edhe të gjithë tifozëve të skuadrës bardhezi që këtë sezon po lufton për të siguruar një vend në kupat e Europës.

“Nuk duhet të na braktisni asnjëherë sepse ne kemi nevojë për ju edhe në momentet e vështira”, përfundon bashkëbisedimin virtual mesfushori i lindur në Korçë. /Telegrafi/

Exit mobile version