Telegrafi

Kabineti i Presidencës: Osmani do t’i kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Kabineti i u.d. Presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi së fundi është debatuar lidhur me kompetencat që i përkasin sipas Kushtetutës së Kosovës.

Përmes një komunikate, thuhet se debati që po zhvillohet gjithandej në lidhje me aspektet kushtetuese në relacion me postin e u.d. të Presidentes së vendit, ka marrë konotacion fushate.

“Është bërë trend që për aspekte kushtetuese, të dominojë qëndrimi i një ish-ligjëruesi të së drejtës afariste, fushë kjo që nuk ka asgjë të përbashkët me njohuri të çështjeve kushtetuese. Kjo qasje juridike, përveç se është e gabuar, është edhe tendencioze sepse po injorohen edhe vet Kushtetuta e vendimet e gjykatës kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

Më tej theksohet se çështjen kur në krye të shtetit është një u.d. Presidente apo President, ka vendosur Gjykata Kushtetuese qysh në vitin 2010, në kërkesën e parashtruar në atë kohë nga U.D. Presidenti Jakup Krasniqi, për të sqaruar nëse i lejohet të mbajë pozicione partiake e politike përderisa është UD President.

“Pra, në aspektin juridik kjo është një çështje krejtësisht e qartë dhe pa asnjë dilemë të vetme juridike. Ndër të tjera, në këtë aktgjykim është konstatuar se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ushtrimi i postit politik nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën e vendit. Njëkohësisht është sqaruar se u.d. i Presidentit mund të ushtrojë edhe pozita partiake, meqë në atë pozicion, pra si U.D. i Presidentit është vetëm përkohësisht. (Bashkëngjitur vendimi: https://gjk-ks.org/ëp-content/uploads/vendimet/ko_97_10_shq.pdf)”, thuhet tutje.

“Pra, nga aspekti juridik, u.d. e Presidentes, e njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani – Sadriu, ka të drejtë të ushtroj mandatin e saj në Kuvend, e njëkohësisht të ushtroj pozitën e Presidentes së vendit me kompetenca të plota kushtetuese. Për më tepër, sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese asaj i lejohet të mbajë edhe pozita partiake. Duke u bazuar ne këtë interpretim U.D. Presidenti i atëhershëm, z. Krasniqi, pat garuar në zgjedhje duke mbajtur njëkohësisht edhe pozita politike edhe partiake. Pra, aktgjykimi ka sqaruar se kufizimet që vlejnë për një President të zgjedhur, sa i përket aktivitetit politik e partiak, nuk vlejnë për U.D. të Presidentit”, thotë Kabineti.

“Siç shihet nga faktet e sipërme, çështja në aspektin kushtetues është krejtësisht e qartë, ndaj fushatat e tilla vetëm sa krijojnë konfuzion dhe nxisin polarizim në jetën politike të vendit.

Në fund thuhet se u.d. Presidentja Osmani në këtë detyrë është përkohësisht dhe do të kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese, njofton Telegrafi.