Telegrafi

“Ka rënie dhe është egoist, lojtarët e Man Utd nuk e duan në zhveshtore”, legjenda franceze befason me fjalët për Ronaldon

Emmanuel Petit beson se mënyra se si Cristiano Ronaldo po përballet me fundin e karrierës së tij nuk i përshtatet legjendës së tij.

Portugezi u largua së fundmi nga Old Trafford para përfundimit të fitores së Manchester United ndaj Tottenham Hotspur pasi refuzoi të inkuadrohej në fund të ndeshjes.

Trajneri Erik ten Hag vendosi ta dënoj duke mos e ftuar për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Chelseat, e cila u mbyll 1-1, ndërsa i ka kërkuar të kërkoj falje para se ta rikthej si pjesë të skuadrës.

Megjithatë, legjenda franceze, ish-lojtari i Arsenalit, Petit beson se janë lojtarët e Unitedit ata të cilët nuk e duan Ronaldon brenda zhveshtores.

“Ai është një legjendë e sportit, ai do të ketë lënë gjurmë në të në disa gjenerata. Por, ky fund i karrierës nuk e nderon atë”, ka thënë fillimisht Petit për RMC Sport.

“Kur shikoj prapa dhe analizoj rikthimin e tij në Manchester United, shihni se si disa nga sjelljet e tij janë të papranueshme në atë nivel”.

“Ai i lodh të gjithë: tifozët, shokët e tij të skuadrës. Ata nuk e duan më atë në dhomën e zhveshjes, sepse ai i kontaminon të gjithë”.

“Ai ka një karrierë të jashtëzakonshme, ne jemi dakord për këtë, por sjellja e tij është shumë egoiste!”, përfundoi legjenda franceze.

Kampioni i botës me Francën në vitin 1998 ka ndarë mendimet e tij edhe në rrjetet sociale.

“Mesazhi yt dje… Nuk të pëlqen ajo që po ndodh me klubin tënd, nuk e duron dot më trajnerin Ten Hag, ndjen se po mos respektohesh për atë që ke bërë, por nuk ke më status”.

“Ti nuk je më i njëjti lojtar, je degraduar, ke pësuar një rënie, por nuk e pranon sepse egoja jote është shumë e madhe. Thuaj gjërat e vërteta! Nuk ke mbrojtje”, ka shkruar Petit. /Telegrafi/