KF Prishtina ka emëruar Corrado Saccone si trajner kondicional apo përgatitës atletik.
Klubi më i trofeshëm kosovar, Prishtina, po vazhdon me përforcimin e klubit në të gjitha mënyrat për të qenë gati për sezonin e ri në Superligën e Kosovës.
Pas largimeve të shumta të futbollistëve dhe afrimin e disave të tjerëve, klubi kryeqytetas ka filluar të bëjë ndryshime edhe në stafin teknik.
Është italiani Corrado Saccone, i cili është zyrtarizuar nga Prishtina si përgatitësi i ri atletik apo si trajner kondicional te bardhekaltrit.
Saccone në të kaluarën ka qenë trajner te skuadra e madhe italiane, Napoli, ndërsa në disa foto të postuara shihet duke punuar me lojtarë të mëdhenj si Edinson Cavani, Marek Hamsik, por edhe trajneri i njohur spanjoll, Rafa Benitez. /Telegrafi/