Telegrafi

Ka “një super përcjellje nga agjentë privatë” – mjekët italianë konfirmojnë sëmundjen e rrallë të ish-ndihmësit të Putinit – nuk përjashtohet as helmimi

Mjekët italianë kanë konfirmuar çrregullimin e rrallë neurologjik që goditi ish-ndihmësin e lartë të presidentit Vladimir Putin, ndërsa autoritetet vazhdojnë të presin rezultatet e analizave të thella për të përjashtuar helmimin, sipas një miku të familjes dhe mediave italiane.

Reformatori veteran dhe ish i dërguari i Kremlinit për klimën, Anatoly Chubais, 67 vjeç, u shtrua në spital me atë që ai tha se ishte sindroma Guillain-Barré gjatë fundjavës.

Chubais dha dorëheqjen dhe u largua nga Rusia në mars në dorëheqjen e nivelit më të lartë të këtij lloji pas urdhrit të Presidentit Vladimir Putin për të filluar agresionin mbi Ukrainë.

“Mjekët më në fund konfirmuan diagnozën e tij: sindromën Guillain-Barré”, shkroi personazhi televiziv Ksenia Sobchak në kanalin e saj Telegram të mërkurën, duke bashkangjitur një foto të Chubais në shtratin e tij të spitalit, përcjell Telegrafi.

Shkaku i sindromës Guillain-Barré, në të cilin sistemi imunitar sulmon nervat dhe shkakton dobësi të muskujve me fillim të shpejtë, nuk dihet ende dhe shërimi mund të zgjasë me vite.

Lexo po ashtu Këshilltari i Putinit, i cili dha dorëheqje për shkak të luftës në Ukrainë, ka përfunduar në një spital evropian

“Gjendja e tij është stabilizuar, por Anatoli Borisovich [Chubais] është ende në kujdes intensiv; këmbët dhe krahët e tij nuk funksionojnë mirë, sytë e tij nuk mbyllen dhe ai ka paralizë të pjesshme të fytyrës”, citohet të ketë thënë Sobchak.

Chubais thuhet se mbrohet nga një “super përcjellje” e agjentëve privatë në një spital privat në qytetin verior të Sardenjës, Olbia, njoftoi agjencia e lajmeve ANSA.

Një histori e rasteve të dyshuara të helmimit kundër armiqve të Putinit dhe raportet e autoriteteve me kostume hazmat që kontrollonin dhomën e tij kanë ndezur spekulime se Chubais mund të jetë helmuar.

“Megjithëse hipoteza e helmimit duket gjithnjë e më pak e mundshme, rezultatet e testeve të thelluara mjekësore që ai iu nënshtrua në një spital privat pritet ta bëjnë këtë të sigurt”, thuhet në deklaratë.

Prokurori i qytetit verior të Sardenjës Tempio Pausanias thuhet se vizitoi Chubais të martën “për të kontrolluar gjendjen e tij shëndetësore dhe për të mbledhur informacion mbi incidentin”.

Asnjë hetim zyrtar nuk është hapur dhe prokurorët kanë kryer vetëm aktivitete “informative” me këmbënguljen e gruas së Chubais për shkak të rasteve të helmimeve në të kaluarën. /Telegrafi/