Përveç temperaturës së ngritur të trupit, dhimbjes së kokës dhe simptomave të tjera që shoqërohen gjithashtu me të ftohtin, simptoma më e zakonshme e një infeksioni coronavirus këto ditë është dhimbja e fytit.
Sipas Dr. Tim Spector, profesor në King’s College në Londër, i cili është gjithashtu një nga themeluesit e aplikacionit kërkimor për COVID-19, dy të tretat e të infektuarve kanë dhimbje të fytit.
Në një raport të mbajtur nga Independent, ky mjek thotë se ethet dhe humbja e nuhatjes dhe shijes rrallë vërehen te njerëzit këto ditë. Nga ana tjetër, humbja e oreksit është ende një nga simptomat tipike të COVID-19.
“Në fazat e hershme të pandemisë, humbja e oreksit u raportua nga rreth tre në dhjetë të rritur me COVID-19, duke u rritur në rreth katër në dhjetë persona mbi moshën 65 vjeç”, thotë Dr. Spector.
Simptoma të tjera të COVID-19, të cilat zakonisht vërehen edhe te njerëzit, janë rrjedhja e hundës, dhimbja e kokës, teshtitja, kolla e vazhdueshme, gulçimi dhe nganjëherë temperatura e lartë e trupit, transmeton Alsat M.
Lodhja është një simptomë që ekziston tek personat e infektuar gjatë dhe pas COVID-19 dhe aktualisht konsiderohet si treguesi kryesor i COVID-it të zgjatur, domethënë një gjendje në të cilën simptomat mbeten të dukshme për javë ose muaj pas infektimit.
Përveç simptomave të mësipërme, nuk duhen anashkaluar diarreja, dhimbjet e gjoksit, zhurma në vesh, problemet me gjumin, humbja e kujtesës dhe përqendrimi.
Megjithëse ethet fillimisht konsideroheshin si simptoma kryesore e COVID-19, tani mungesa e temperaturës nuk do të thotë që nuk keni COVID-19. Tashmë një dhimbje fyti dhe një dhimbje koke e lehtë do të thotë se mund të keni marrë një infeksion viral.
Për më tepër, ethet e larta dhe humbja e shqisës së nuhatjes tani janë vërtet të rralla, prandaj shumë të moshuar ndonjëherë mendojnë se nuk kanë COVID-19, por janë të ftohur.
Mungesa e vetëdijes për simptomat ngadalëson ritmin e testimit dhe mbikëqyrjes. Personat që janë njohur vetëm me simptomat e infeksionit deri më tani nuk janë testuar dhe si rezultat, infeksioni vazhdon të përhapet.