Sot në moshën 82 vjeçare, ka ndërruar jetë njëri nga arkitektët e parë në qytetin e Pejës, Qemajl Beqiri.
Ai për disa muaj me radhë është përballur me sëmundjen, të cilës nuk ka arritur t’i mbijetoi.
Beqiri lindi me 11 shkurt të vitit 1934, në Pejë. Studimet e arkitekturës i kishte përfunduar në vitin 1962 në Beograd, në klasën e Prof Mate Bajlon, për të vazhduar studimet, në vitin 1975-1977, në shkallën e tretë – drejtimi urbanizëm.
Punën e tij si urbanist e filloi në vitin 1962 në vendlindje, në shërbim të Kuvendit Komunal, të cilin punë e vazhdoi deri në vitin 1969, kohë kur e themeloi “Entin për Urbanizëm dhe Projektim”, e cila ishte në kuadër të Komunës.
Ai gjatë punës në këtë institucion ishte hartuesi i projekteve të shumta, ndër të cilat numërohen edhe Moteli “Dardania”, shkolla Xhemajl Kada, rekonstruimi i ish hotel Metohisë (tash Dukagjini) në Pejë. Më pas e hartoj planin për ndërtimin e Motelit Trofta në Istog, Stacionit të Autobusëve në Pejë dhe planet për rekonstruimin e hotel Theranda në Prizren.
Prej viti 1979 deri më 1994, ka qenë i angazhuar si ligjërues në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arkitekturës.
Beqiri ka qenë laureat i çmimit “Borba” për motelin Trofta në Istog, në vitin 1980./Telegrafi/