Një prej objektivave kryesor të Barcelonës për afatin kalimtar veror është një lojtar të cilin më herët e kanë pasur në radhët e tyre.
Bëhet fjalë për Dani Olmon i cili ishte pjesë e akademisë “La Masia” deri në vitin 2015, dhe tani pas nëntë viteve ai mund të rikthehet sërish në Kataluni.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, është një fans i madh i Olmos dhe është i etur që të tentojë të sigurojë një marrëveshje për transferimin e tij këtë verë, pavarësisht vështirësive financiare.
Vet lojtari ishte pyetur nga gazeta spanjolle Sport rreth një rikthimi të mundshëm, dhe mund të themi se ai e pranoi mundësinë e realizimit të kësaj ideje.
“Do ta shohim në fund, ky është një opsion që mund të ndodhë. Unë jam i qetë dhe i fokusuar në Kampionatin Evropian, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Olmo.
Olmo gjithashtu e konfirmoi se ai do të marrë një vendim për të ardhmen e tij para përfundimit të Euro 2024.
“Mund të them se do të dihet para kësaj date (14 korrik, finalja e Euro 2024). Jam i qetë, i fokusuar tek kombëtarja, të luajë dhe të kontribuojë, kjo është e tëra”, përfundoi ai.
Në këtë fazë Olmo duket se nuk është një prioritet për Barcelonën, por kjo nuk do të thotë se një lëvizje nuk do të ndodhë në javët në vazhdim.
Ajo që është e sigurt është se Olmo nuk do të vazhdojë më në Gjermani tek Leipzigu dhe sezonin e ardhshëm do të bart fanellën e një ekipi tjetër./Telegrafi/