Sot (e premte) ka qenë një ditë e madhe për Kosovën, pasi pas shumë vitesh është bërë me Ushtri.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë po transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura.
Të entuziazmuar për këtë lajm kanë qenë qytetarë të shumtë, gjersa anash nuk kanë ngelur as edhe figurat publike.
Shumë nga këngëtarët e estradës kanë uruar formimin e Ushtrisë së Kosovës, ndërsa disa prej tyre kanë vendosur t’i dedikojnë edhe këngë kësaj date historike.
Mirëpo ka pasur edhe nga ata, që formimit të ushtrisë i kanë kënduar shumë vite më parë, dhe një nga to ka qenë këngëtarja e madhe Adelina Ismaili, e cila në vitin 1997 kishte publikuar këngën me titull “Ushtrinë time do ta bëj”.
https://www.youtube.com/watch?v=ZFLni7gXSeY
Kjo këngë, e cila në thelb vinte në pah edhe figurën e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, u bë realitet pas 21 vitesh, dhe për koiçidencë ndodhi pikërisht në ditëlindjen e këngëtares.
Në një bisedë për Telegrafin, Adelina ka rrëfyer lidhjen emocionale që ka me këtë këngë, të cilën e cilëson si një prej më të veçantave në karrierën e saj.
“Isha e mitur kur e shkrova, ndoshta kjo është lidhja më emocionale me këtë këngë. Isha 15 vjeçare dhe në botën time gjërat ishin ashtu siç thuhet në këngë. Është kënga që e dua dhe urrej më së shumti. Më ka bërë Adelinë dhe më ka njoftuar me linçimin”, tha Adelina Ismaili për Telegrafin.
E njëjta është shprehur e lumtur që më në fund pas gjithë kësaj kohe, Kosova arriti që ta ketë ushtrinë e saj.
“Jam shumë, plotësisht e lumtur që admiruesit e Ibrahim Rugovës, nxënësit e tij sot formuan ushtrinë. Kjo më bën krenare”, tha tutje Adelina.
Në po të njëjtën datë, sot më 14 dhjetor Ismaili feston ditëlindjen e saj të 39-të.
Përveçse një ditëlindje të zakonshme, këngëtarja thotë se kishte edhe një arsye më shumë për të festuar, e krejt kjo për faktin se vargjet e këngës së saj u bënë realitet pikërisht në këtë datë.
“Ka diçka këtu. Universi nuk punon si njerëzit, karma po më jep dhuratën (qesh). Kjo është gjë shumë e bukur, e rëndësishme që u bë, ta ruajmë dhe ta duam”, përfundoi Adelina Ismaili.
E njëjta ka qenë shumë e njohur për këngët dhe tekstet e guximshme që këndonte në vitet 90-ta, shfaqje të cilat i kanë dhuruar epitetin “diva e estradës”. /Telegrafi/
Teksti i këngës “Ushtrinë time do ta bëj”:
Një sy kaltër shumë e desha
por ai më tradhtoi
prej at ditë në zi jam veshur
dhe vetëm vajtoj..
Shumë vajza në qafë i mori
s’e din ç’është dashuria
por unë hakun do ta nxjerr
le të merr vesh ç’është vetmia..
Ushtrinë time do ta bëj
me Ibrahim Rugovën
ty o djalë do të dënoj
…
ta çliroj Kosovën
Besa-besën ta kam dhënë
me mua s’ka hajgare
nuk guxon më askush të luajë
me vajzat shqiptare