Analisti i Grupit Ballkanik për Politikat e Zhvillimit, Naim Rashiti, në intervistë për DW, flet sesi do të dukej një marrëveshje finale Kosovë-Serbi dhe pse nuk ka një unifikim ndërkombëtar për këtë marrëveshje.
DW: Z. Rashiti ka një debat gjithandej si në arenën ndërkombëtare dhe atë lokale rreth çështjes së Kosovës në raport me Serbinë. Ka qëndrime nga më të ndryshmet për dialogun dhe rrjedhën që duhet të ketë, por hapa konkret ende nuk ka. Si i shihni Ju këto zhvillime?
Naim Rashiti: Dialogu dhe konsultat janë duke u zhvilluar dhe një farë forme draftimi, apo konsultimi i një marrëveshjeje të mundshme është duke u zhvilluar. Takimet formale nuk janë duke u mbajtur, por ka një presion në rritje që takimet formale të fillojnë gjatë këtij muaji, apo më së largu deri në prill apo maj. SHBA-ja dhe BE-ja janë dakorduar për fillimin e takimeve formale, por Serbia po e kushtëzon fillimin e këtyre takimeve me heqjen e taksës së vënë nga qeveria e Kosovës për prodhimet serbe. Sesa do të vazhdojë kjo situatë, nuk dihet, por nuk shoh që do të ketë heqje të taksës nga Prishtina. Mirëpo, tash për tash është shumë e vështirë të dihet se çfarë po ndodh me dialogun.
E përmendet një marrëveshje, që siҁ thoni është duke u draftuar apo konsultuar, por pa takime formale. Si e shini ju këtë marrëveshje?
Është shumë e vështirë për ta parashikuar se ҁka është ajo marrëveshje. Por, ajo që dihet është se kabineti i shefes së diplomacisë evropiane dhe SHBA-ja janë duke punuar intensivisht me dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq për t’i përafruar qëndrimet, por pak dihet në publik dhe sa më pak që po dihet në publik, gjasat për një marrëveshje po minohen.
Kush po i minon gjasat, jotransparenca, mos-unifikmi i klasës politike kosovare, qëndrimi i ngurtë i Serbisë, Kosovës, apo çfarë?
Janë tre faktorë. I pari është sesi bëhet një marrëveshje për ta siguruar njohjen e Kosovës nga Serbia, pra a është e gatshme Serbia të shkojë deri në fund me njohje dhe a do ta pranojë këtë marrëveshje dhe të gjithë ata që janë në dialog dyshojnë në këtë se a do ta përmbyllë Serbia marrëveshjen. Faktori i dytë është: Faktori ndërkombëtare ku ka dallime të mëdha, dhe për shkak të këtyre dallimeve të mëdha po punohet në një qark shumë më të vogël. Dhe faktori i tretë është faktori kosovar që ka dallime shumë të mëdha sa i përket një marrëveshjeje finale sesi do të duket ajo. Pra janë tri segmente, përveç të parës, dy të tjerat nuk kanë ndodh më herët as në procesin e Vjenës apo diku tjetër.
Rashiti në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën ishte ambasadori gjerman në këtë organizatë që shprehu qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe tha se anëtarësimi i Serbisë në BE, kalon vetëm përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme? Ky qëndrim i Gjermanisë, i përsëritur nga kryeministri Haradinaj, që deri në një masë nuk po mbështetet nga Presidenti Thaçi për qasjen e tij ndaj dialogut. Ka shpresë për një unifikim qëndrimi edhe në Kosovë, edhe në arenën ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës?
Nuk e besoj se do të ketë unifikim qëndrimi të faktorit ndërkombëtar. Ajo që po ndodh te faktori ndërkombëtar dhe ai lokal është se nuk po besojnë se do të ketë një marrëveshje, edhe me modifikim kufijsh, edhe me njohje dhe me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve. Ajo çfarë po ndodh me Gjermaninë është se duke mos besuar se mund të arrihet një marrëveshje tash, ata vetëm kanë filluar të mendojnë sesi do të dukej dialogu nën një udhëheqje të re të BE-së që pritet këtë vit. Në Kosovë dallimet mes liderëve rreth zgjidhjes finale nuk besoj se do të veniten shpejt. Nuk besoj se do të ketë mbështetje për një lider apo tjetrin për shkak të pozicioneve. Pra edhe SHBA-ja kërkon që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të ketë legjitimitetin demokratik, sepse në këtë situatë nuk mund ta kalojë.
Rashiti ka një percepcion të brendshëm në Kosovë që i gjithë presioni për bllokimin e dialogut po bie mbi palën kosovare dhe jo mbi Serbinë. Sa me vend mund të jetë ky konstatim?
Percepcioni tash për tash është që Kosova po dështon të jetë e përgatitur për një proces dialogu. Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk është akuzuar Kosova se po e dështon procesin e dialogut. Por, në Bruksel, në Berlin në Vjenë e SHBA, tash po flitet se si liderët e Kosovës nuk po e mbështesin dialogun, sepse të gjitha përpjekjet ndërkombëtare janë për një proces më intensiv ndërsa, mbetet krejt në fund të shihet a ka marrëveshje apo jo. Nga ana tjetër pas këtyre zhvillimeve në Kosovë, Presidenti serb Vuçiç po thotë se ai është gati për marrëveshje, por janë shqiptarët që nuk janë gati dhe ai e ka bindur faktorin ndërkombëtar me këtë. Pra mendoj, se do të ketë një kosto ndërkombëtare për pozicionin e Kosovës, jo kosto për shkak të kërkesave për kompromise, por për shkak të mosgatishmërisë për të vepruar si një shtet që merr vendime në raport me dialogun.
Por në realitet Serbia a mendoni se është e gatshme për marrëveshje me Kosovën?
Unë, dyshoj shumë. Serbia mund të jetë e gatshme për një marrëveshje krejt radikale, nuk e besoj që Serbia është e gatshme për një marrëveshje në kuadër të kufijve të Kosovës. Ndoshta do të pranonte një lloj Brukseli 2, një lloj rinegocimi të marrëveshjeve, me një lloj autonomie për veriun, duke mos ofruar edhe njohjen e Kosovës në mënyrë implicite. Ndoshta Serbia do të ofronte marrëveshje me ndarje të Kosovës, në mënyrë që ta njohë Kosovën, por ajo do të jetë tepër e vështirë për t’u pranuar në Kosovë dhe nuk e besoj që do të ketë kurajo politike dikush në Kosovë që ta pranojë me një shkëputje të njëanshme të territorit. Dhe e fundit është që problem në Serbi përveç zhvillimeve të brendshme është Rusia, ndaj së cilës Serbia dhe presidenti serb nuk po dinë si të sillen. Kam përshtypjen që ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga Serbia për ta marrë miratimin e Rusisë për një marrëveshje me Kosovën dhe për këtë janë në panik dhe është shumë e paqartë se çfarë do të bëjë Rusia me Serbinë deri në finale të dialogut me Kosovën.