Telegrafi

Ka filluar vlerësimi i mësimdhënësve, ata nuk do të vlerësohen vetëm në lëndën profesionale (Video)

Dëfrim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë se ka filluar procesi i vlerësimit të 217 mësimdhënësve në 25 komuna të Kosovës.

“Kriter për këtë testim ka qenë që mësimdhënësit të kenë pasur së paku 100 orë trajnimi të zhvillimit profesional”, tha ai.

Gashi, në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se qëllimi i këtij procesi është përmirësimi i cilësisë në arsim.

“Do të shohim anët pozitive dhe negative për secilin mësimdhënës që do t’i nënshtrohet procesit”.

Gashi ka thënë se mësimdhënësit tashmë janë të informuar për fushat, standardet dhe kriteret e testimit.

Jo vetëm lëndët e ngushta janë subjekt i vlerësimit të mësimdhënësve. Sipas Gashit ka shumë gjëra që një inspektor i analizon nga mësimdhënësi në mënyrë që të vlerësohet nëse ai ka apo jo cilësi.

“Janë edhe shumë standarde apo kritere të tjera, të cilët të japin me kuptua nëse ai mësimdhënës ka cilësi apo jo”.

Gashi ka thënë se pas përfundimit të testimit të fazës së parë të mësimdhënësve, ata do të bëjnë një raport gjeneral me ekspertët më të mirë të vendit.

“Do të shohim nëse vërtet ia kemi dalë dhe ku i kemi anët pozitive dhe anët negative të këtij procesi”.

Inspektori ka thënë se duhet të merret shumë seriozisht edhe raporti i Bankës Botërore, i cili thotë se fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm. Mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 vite të arsimit.

“Duhet ta marrim seriozisht këtë raport, sepse bota po thotë: ‘hapi sytë, ku je dhe çfarë po bën?’, por fajtor nuk është vetëm Ministria e Arsimit”, tha Gashi./Telegrafi/