Pas paralajmërimeve se Qeveria e Kosovës, do të procedojë javën e ardhshme për ratifikim në Kuvend Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, zyrtarë të partive politike opozitare thonë se do ta kundërshtojnë atë dhe nuk do të lejojnë që ajo të miratohet.
Partitë opozitare e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me pretendimin se Kosova me këtë marrëveshje humb rreth 8 mijë hektarë tokë të territorit të saj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se AAK-ja është kundër marrëveshjes ekzistuese të demarkacionit.
“Besoj se LDK-ja, ka njerëz me integritet, po ashtu deputetë që nuk do të lejojnë që një turp i madh dhe një e keqe e madhe t’i vijë vendit. E kam fjalën për demarkacionin dhe tema të tjera, pra shumë besoj se ka njerëz me integritet brenda LDK-së ashtu siç ka edhe në partitë e tjera në pushtet dhe i falënderoj deputetët e opozitës dhe komuniteteve që kanë shprehur gatishmërinë për të mos lejuar që të kalojë”, ka thënë Haradinaj pasi bëri homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, dhe shtatorja e heroit Zahir Pajazitit pas kthimit nga Franca.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit pritet t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit nga deputetët, me gjithë kundërshtimet e opozitës dhe një numri të deputetëve nga partitë në pushtet.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar Marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, ka thënë se nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij kundër.
“Për versionin çfarë është dhe nëse nuk ka kompromis që të rishqyrtohet kjo çështje, qëndrimi im mbetet i pandryshuar. E nëse ka vullnet për t’u rishqyrtuar çështjet diskutabile që janë, atëherë ka mundësi për diskutime”, është shprehur Bulliqi.
Organizatat joqeveritare që bëjnë monitorimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit, kanë deklaruar se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse, nuk mund të ketë rikthim të çështjes së demarkacionit në Kuvend.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shprehur optimizmin e tij se do të gjendet një zgjidhje dhe kompromis për ta votuar marrëveshjen e demarkacionit.
Ai ka thënë se ende ka kohë dhe sipas tij, kryeministri i Isa Mustafa ka shprehur gatishmërinë se në rast se ka një ofertë për zgjidhje kreative, mund të diskutohet edhe me partitë opozitare.
“Mendoj se do të arrihet një konsensus për këtë çështje dhe ka kohë akoma. Duhet të ketë gatishmëri që të arrihet një konsensus për këtë çështje dhe të kalohet pa trauma për shoqërinë kosovare. Mes partive në pushtet dhe partive opozitare mund të arrihet një konsensus dhe të gjendet një zgjidhje optimale për rastin e Kosovës”, ka theksuar Gashi.
Megjithatë, deputeti Bulliqi ka thënë po ashtu se në këtë rrafsh institucionet e Kosovës janë duke bërë presione të formave të ndryshme për deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Mali e Zi.
“Këto janë presione të institucioneve tona që po bëjnë te deputetët e Kuvendit të Kosovës e në vazhdën e këtyre, institucioneve tona, sigurisht që kërkesa është edhe e faktorit ndërkombëtar”, ka shtuar Bulliqi.
Partitë politike opozitare vitin e kaluar patën bllokuar disa herë seancat plenare, duke përdorur edhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e Kuvendit, kur është tentuar të trajtohet çështje e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.
Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ratifikimi i marrëveshjes, ishte tërhequr nga votimi në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator të vitit të kaluar, pas tensionimit të gjendjes së sigurisë dhe mungesës së votave për ratifikim.
Tani pritet që për herë të dytë, koalicioni qeverisës të provojë ratifikimin e kësaj marrëveshje, për të cilën nevojiten 80 vota të deputetëve.
Procedimin sa më të shpejtë të demarkacionit në Kuvend e ka kërkuar së fundi edhe zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, i cili ka gjasa se mund të vijë në Kosovë gjatë javës së ardhshme. /rel/