Real Madridi humbi 2-1 nga Athletic Bilbao në ndeshjen e xhiros së 16-të të La Ligës. Alex Berenguer kaloi në epërsi mikpritësit në minutën e 53-të.
Në minutën e 68-të, Kylian Mbappe kishte mundësinë që t’i barazonte shifrat nga një penallti, por sulmuesi i Realit nuk arriti të shënonte nga pika e bardhë.
Goditjen e tij e priti portieri i Bilbaos, Julen Agirrezebala. Në minutën e 78-të, Jude Bellingham barazoi për Realin, por dy minuta më vonë, pas një gabimi të madh të Fede Valverde, Gorka Guruzeta shënoi golin për vendasit.
Një nga yjet më të mëdhenj të futbollit kaloi në Real këtë verë pasi u kërkua nga presidenti Florentino Perez për vite me radhë.
Mbappe pritej të bëhej menjëherë si Cristiano Ronaldo, por fansat pohojnë me hidhërim se pas katër muajve të parë ai ngjan shumë më tepër me Eden Hazard. Mbappe nuk është aq i tmerrshëm, por ai është larg pritshmërive dhe synimeve më të larta të vendosura para tij.
Në 20 ndeshjet e para, ai shënoi 10 gola, por ishte i padukshëm në të gjitha ndeshjet e mëdha që përfunduan me disfata, dhe për këtë shkak tërhoqi inatin e tifozëve.
Por ata nuk janë vetëm të zemëruar me të. Ata janë po aq të indinjuar që Ancelotti (ndoshta edhe Perez) këmbëngul që Mbappe të ekzekutojë penallti edhe pse është e qartë se ai nuk ka besim në vete, raporton AS.
Pasi humbi një penallti në humbjen e javës së kaluar ndaj Liverpoolit, ai përsëriti të njëjtën gjë te Bilbao. Të dyja herë mund ta shpëtonte Realin nga dështimi me golat nga penalltia, por nuk ia doli. Ai ka humbur dy nga pesë penallti që kur u bashkua me Realin.
“Para se të ekzekutonte penalltinë, tifozët e Realit u çmendën. Është e vështirë të shohësh Mbappen vetëm përballë portierit”, shkruan AS dhe shton: “Të shikosh Mbappen para se të ekzekutojë penalltinë, ofron shpjegimin perfekt se diçka nuk shkon me të. Francezi është në pritje të bilbilit të gjyqtarit dhe nuk guxon të shikojë as portën, as portierin”. /Telegrafi/