Ylli i Juventusit, Kenan Yildiz e ka nisur sezonin si një lojtar kyç në planet e trajnerit Thiago Motta, por klubi mund të jetë i hapur për ta shitur atë këtë verë nëse vjen një ofertë fitimprurëse.
Motta fillimisht i besoi lojtarit turk 19-vjeçar, duke i dhënë rregullisht kohë për të luajtur, por së fundmi Yildiz ka parë më pak minuta në fushë.
Pavarësisht se e vlerëson shumë Yildizin, Juventusi nuk e konsideron atë të paprekshëm, veçanërisht nëse skuadra nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, gjë që do të shkaktonte një goditje të konsiderueshme financiare.
Pak javë më parë, agjenti i njohur Jorge Mendes vizitoi Torinon, ku u takua me drejtuesit e Juventusit dhe familjen e lojtarit. Kjo nxiti thashethemet e transferimeve, veçanërisht pasi Aston Villa tregoi interes për talentin turk.
Drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka vendosur një çmim për Yildiz në rajonin e 75-80 milionë euro.
Deri më tani këtë sezon, Yildiz ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 4 asistime në 41 ndeshje për Juventusin në të gjitha garat. /Telegrafi/