Juventus ka pësuar humbje me rezultat të thellë 4-0 në shtëpi ndaj Atalantës në kuadër të javës së 28-të në elitën e futbollit italian.
Golin e avantazhit mysafirët e shënuan në minutën e 29-të përmes Mateo Reteguit i cili ishte i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 1-0.
Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Ademola Lookman pati dy raste të njëpasnjëshme ku tek njëra goditi shtyllën, ndërsa tek tjetra u ndal nga portieri vendas Di Gregorio.
Me të filluar pjesa e dytë, të besuarit e Gian Piero Gasperinit gjetën golin e dytë përmes Marten De Roon, i cili në minutën e 46-të realizoi për 2-0.
🤖🤖🤖 pic.twitter.com/NYdcbEx29B
— Atalanta B.C. (@Atalanta_BC) March 9, 2025
Mysafirët nuk u ndalën më kaq dhe në minutën e 66-të pas një super aksioni, ata gjetën rrjetën edhe një herë tjetër përmes Davide Zappacostas i cili realizoi për 3-0.
Goditjen përfundimtare ‘Zonjës së Vjetër’ ia dha Ademola Lookman (77’) i cili shfrytëzoi një pasim të gabuar nga Dusan Vlahovic për të shënuar për rezultatin përfundimtar 4-0.
Pas kësaj humbje, Juventus mbetet në kuotën e 52 pikëve dhe momentalisht mban pozitën e katërt, të cilën mund ta humbasë nëse Lazio nesër (e hënë) triumfon ndaj Udineses./Telegrafi/