Pas Khepren Thuram, Juventusi synon një tjetër transferim nga elita e futbollit francez Ligue 1.
Qendërmbrojtësi Jean-Clair Todibo, është objektivi i radhës i Zonjës së Vjetër për ta përforcuar repartin defensivë.
Interesimi i Juventusit nuk është i rastësishëm, pasi Todibo e ka bërë të qartë se do të mirëpriste një transferim te gjiganti italian.
‘Zonja e Vjetër’ kërkon të rinovojë skuadrën e saj dhe transferimi i qendërmbrojtësit të ri francez do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Preferenca e Todibo për klubin torinez ka qenë një faktor përcaktues që negociatat të intensifikohen javët e fundit.
Megjithatë, largimi i Todibo nga Nice nuk do të jetë i lehtë sa i përket aspektit ekonomik. Siç raporton gazetari i njohur Fabrizio Romano, klubi francez ka refuzuar një ofertë prej 35 milionë eurosh nga West Ham United, gjë që nënvizon vlerësimin dhe potencialin që ata shohin te mbrojtësi.
Nice synon që nga shitja e mbrojtësit të talentuar të fitojnë mbi 40 milionë euro.
Raportet e mira të dy klubeve mund të jetë faktorë kyç për transferimin e Todibos në ‘Allianz Stadium’. /Telegrafi/