Telegrafi

Juventusi sërish në gjykatë, kërkon që t’i largohet Interit titulli i edicionit 2005/2006

Në prag të derbit të Italisë mes Interit dhe Juventusit, bardhezinjtë e kanë ndezur edhe më shumë ndeshjen, pasi kanë vendosur të apelojnë në Kolegjin e Garancive Sportive, çështjen e titullit të sezonit 2005-2006.

Kanë kaluar plot 13 vite nga koha e “Calciopolit” t, që përfundoi më zbritjen e Juventusit në Serie B.

Në atë kohë titulli i edicionit 2005-2006 iu dha Interit, por bardhezinjtë nuk janë pajtuar asnjëherë me këtë vendim.

Që prej asaj kohe drejtuesit juventinë kanë zhvilluar një betejë të gjatë ligjore, për të marrë mbrapsht dy titujt e hequr nga “Calciopoli”.

Deri më tani pretendimet e Juventusit janë rrëzuar në të gjitha instancat.

Tentativa e fundit është ajo në Kolegjin e Garancive Sportive. Në fakt Juve nuk synon marrjen e titullit, por heqjen e tij nga Interi, duke vepruar njëjtë sikurse që u bë me titullin e edicionit 2004-2005.

Kujtojmë që të dielën në mbrëmje, në “San Siro” do të zhvillohet ndeshja mes Interit dhe Juventusit.

Kjo sfidë vjen sikurse asnjëherë më parë për Interin që e shohin vetën si lider të Serie A. /Telegrafi/