Telegrafi

Juventusi i rikthehet fitores në Serie A, fiton në shtesë ndaj Fiorentinas

Juventusi ka marrë një fitore të vuajtur ndaj Fiorentinas me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të në Serie A.

Zonja e Vjetër i është kthyer fitores pas tri ndeshjeve në kampionat, duke triumfuar mes vështirësive në Allianz Stadium nga klubi Viola.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e gjitha e barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta dhe menaxhuan njësoj ndeshjen.

Megjithatë, edhe përkundër disa rasteve për gol, shifrat mbeten të pandryshuara dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat 0-0.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e fortë në mesfushë, e barabartë, por me vendasit për një nuancë më të mirë, pasi edhe ishin me një lojtar më shumë shkaku që Nikola Milenkovic (73’) u ndëshkua me të kuq.

Federico Chiesa (77’) goditi traversën, goli i Alvaro Moratas (82’) u anulua për pozite jashtë loje, por jo edhe i Juan Cuadrados (90+), i cili shënoi një gol të bukur pas një veprimi individual dhe ia siguri Juventusit fitoren 1-0.

Pas kësaj fitore, Juventusi e sheh veten në pozitën e tetë me 18 pikë, po aq sa ka edhe Fiorentina e shtata.

Në ndeshjen e ardhshme, Bianconerët udhëtojnë te Lazio, ndërsa Viola e pret Milanin. /Telegrafi/