Telegrafi

Juventusi mposht Interin në derbin e pesë golave – penallti, dy kartonë të kuqë dhe shumë vendime të gjyqtarit që nuk u pranuan

Juventusi ka mposhtur Interin në “Derbin e Italisë” me rezultat 3-2 në kuadër të javës së 37-të të Serie A.

Zonjës së Vjetër iu desh më shumë fitorja për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa Interi erdhi si kampion në këtë ndeshje.

Juventusi ishte e para që kaloi në epërsi. Cristiano Ronaldo gjuajti nga penalltia, ndërsa Samir Handanovic priti, por nga topi i kthyer portugezi shënoi për 1-0 në minutën e 24-të.

Nuk vonoi shumë dhe Interi fitoi penallti ku De Ligt ndali Lautaro Martinezin.

Nga pika e bardhë ishte i saktë Romelu Lukaku (1-1).

Në kohën shtesë të pjesës së parë Juan Cuadrado gjuajti me një goditje të fortë për të shënuar për 2-1.

Pjesa e dytë doli të jetë interesante, pasi Juventusi mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Rodrigo Bentancur pas dy kartonëve të verdhë.

Interi sulmoi për të gjetur golin e barazimit dhe atë e mori në minutën e 83-të, kur Giorgio Chiellini shënoi në portën e tij për 2-2.

Por Juventusi fitoi penallti në minutën e 88-të që u kthye në gol nga Cuadrado.

Krejt në fund me karton të kuq u ndëshkua edhe Marcel Brozovic, ndërsa shumë vendime të gjyqtarit u kontestuan nga të dyja palët.

Një fitore e vlefshme për Juventusin që mbetet në garë për një vend në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore