Site icon Telegrafi

Juventusi merr një fitore të madhe ndaj Sampdorias

Juventusi ka fituar ndaj Sampdorias me rezultat të ngushtë 3-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë në Serie A.

Ekipi i Massimiliano Allegrit e ka marrë edhe fitoren e dytë radhazi në kampionat duke filluar të gjej formën pas një fillimi të tmerrshëm.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Juventusit, raste më të shumta, dominim dhe me dy gola të shënuar, kundrejt një të Sampit.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm 10 minutave lojë dhe ishte Paulo Dybala, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca për 1-0.

Juventusi gjeti edhe golin e dytë në minutën e 43-të me anë të Leonardo Bonucci që shënoi për 2-0 nga penalltia, por Sampdoria gjeti golin një minutë me vonë me anë të Maya Yoshida dhe shkuan në pushim me rezultat 2-1.

Në pjesën e dytë, përsëri Juventusi ishte skuadër më e mirë, më dominuese dhe arriti të shënojë edhe një gol, por në fund pranoi gjithashtu një.

Goli i vetëm në këtë pjesë për Juventusin erdhi në minutën e 57-të dhe ishte Manuel Locatelli, i cili shënoi golin e parë me fanellën e Juventusit për epërsinë 3-1.

Sampdoria arriti të shënojë në minutën e 83-të me anë të Antonio Candreva për 3-2, por ky doli të ishte goli i fundit dhe rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Juventusi e sheh veten në pozitën e nëntë me tetë pikë, ndërsa Sampi zë vendin e 14-të me pesë pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Bianconerët udhëtojnë të Torino, ndërsa Sampdoria e pret Udinesen. /Telegrafi/

https://twitter.com/khalidnasir0111/status/1442078704851570690

https://twitter.com/juve_canal/status/1442094064929853440

 

 

 

Exit mobile version