Site icon Telegrafi

Juventusi largohet me tri pikë nga “San Siro” – Milani lëshon kreun

Juventusi ka fituar 1-0 në udhëtim te Milani në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së nëntë në Serie A.

Pas 15 minutash lojë u krijua rasti i parë serioz, kur Olivier Giroud goditi, por që u ndal nga portieri i Zonjës së Vjetër.

Një mundësi të mirë shënimi lëshoi edhe Filip Kostic (23’), pasi nuk arriti të shënonte nga afërsia.

Adrien Rabiot kishte hapësirë në minutën e 34-të, mirëpo, goditja e tij shkoi vetëm ngjitur shtyllës së majtë.

Në minutën e 40-të ishte një moment shokues për Milanin, pasi Malick Thiaë bëri një ndërhyrje të palejueshme në Moise Keane që ishte lojtari i fundit dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Pjesa e dytë kishte një ritëm më të shpejt të lojës dhe u shënua edhe goli i vetëm i ndeshjes.

Ishte minuta e 63-të e takimit kur Timothy Weah asistoi te Manuel Locatelli që goditi nga distanca, ndërsa ajo u devijua dhe u fut në portë.

Dy skuadrat u munduan deri në fund që nëpërmjet zëvendësimeve të shënonin gola, por që goli i mesfushorit italian ishte i vetmi.

Pas javës së nëntë, Juventusi është në vendin e tretë me 20 pikë – dy më pak se lideri Interi, ndërsa Milani në të dytin me një më pak se rivali lokal.

Në xhiron e dhjetë, Rossonerët do të kenë punë me Napolin, ndërsa Bianconerët takohen me Veronën. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
Exit mobile version